Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, dëshmitarët rrëfejnë si i gjetën kufomat e tre civilëve të vrarë

Në gjykimin ndaj Millosh Pleskoviq, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, në seancën e sotme, më 21.01.2025, janë dëgjuar tre dëshmitarë.

Pleskoviq po akuzohet nga Prokuroria Speciale, se më 1 shtator të vitit 1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” kishte shtënë me armë të tipit  “Kallashnikov”, ku ishin vrarë 3 civilë, teksa të njëjtit ishin duke shkuar për të marrë dru në mal.

Fillimisht dëshminë e dha dëshmitari Parim Elshani, i cili gjatë dëshmisë së tij tha se në vitin 1998-1999 kishte jetuar në qytetin e Prizrenit.

Ai tregoi, gjatë dëshmisë së tij, se si kishin shkuar në vendin e ngjarjes dhe i kishin gjetur kufomat.

“I kemi dërgu xhenazet në Spital, prej Spitalit kemi shku në varrim.” – tha Parim Elshani.

Ai tregoi, tutje, se përmbi kufoma kishte qenë miku i  tij F. B., mirëpo se kush e ka kryer këtë vrasje nuk e dinte.

“A ke dëgju kush e ka kry vrasjen?” – e pyeti prokurori Ilir Morina.

“Kam dëgju prej njerëzve, se nipi i kojshisë te xhamia e ka pasë gjyshen.” – tha Elshani.

Parim Elshani tha, gjatë dëshmisë së tij, se para lufte nuk e kishte njohur Millosh Pleskoviqin dhe se përveç se në lajme nuk kishte dëgjuar diku tjetër se Milloshi e ka kryer vrasjen.

Dëshmitari  i dytë i cili e dha dëshminë ishte Shaban Shala, i cili po ashtu tha se gjatë vitit 1998-1999 kishte jetuar në Prizren. Tutje, gjatë dëshmisë së tij edhe ai tregoi se si i kishin gjetur kufomat.

“E kam të vështirë të flasë për trupat, por kur kemi mbërri na edhe qen ka pasë. Trupat kanë qenë pothuajse të shkapërderdhur.” – tha Shaban Shala.

Ai rrëfeu se trupat i kishin futur në thasë, i kishin bartur te kamioni dhe kishin shkuar pastaj në Spital e prej aty në varreza.

Ai tha se nuk e di se kush e ka kryer këtë vrasje e se Millosh Pleskoviqin nuk e kishte njohur para lufte dhe po ashtu nuk e kishte ditur që gjyshen e kishte pasur në lagjen ‘Hoqa Mahalla’.

Ndërsa, dëshmitari i tretë i cili dha dëshminë ishte Sherif Xhaferi. Ai tha, gjatë dëshmisë së tij, se gjatë vitit 1998-1999 ka jetuar po ashtu në qytetin e Prizrenit. Dëshmitari Sherif Xhaferi tregoi lidhur me momentin, kur i kishin gjetur kufomat.

“Trupat i kemi qit n’thasë. I kemi bartur nga 4 veta, deri te lagjja jonë. I kemi dërgu n’Spital dhe pastaj kemi shkuar n’varreza dhe i kemi varrosur.” – tha Shaban Shala.

Ndërsa, në fund të dëshmisë së tij tha se nuk e di kush e ka kryer këtë vrasje.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet nesër, më 22.01.2025.

Kujtojmë se i akuzuari Millosh Pleskoviq në seancën e shqyrtimit fillestar, më datë 21.06.2024, nuk e kishte pranuar fajësinë.

“Nuk e pranoj fajësinë.” – kishte thënë i akuzuari Millosh Pleskoviq.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Trupit Gjykues: Rrahman Beqiri, kryetar i Trupit Gjykues dhe dy anëtarët, Violeta Namani-Hajra dhe Kujtim Krasniqi.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në Prizren gjatë një konflikti me karakter jondërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave Ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) dhe forcave policore të Serbisë. I pandehuri Millosh Pleskoviq, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil – duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë aktakuzë, forcat policore dhe ushtarake të RFJ dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.


Sipas Aktakuzës, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R. D., B. D., F. B. së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje, derisa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 persona, të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore dhe ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë dhe njëkohësisht ishin të armatosur me armë të gjata automatike e të cilët i kishin urdhëruar fillimisht që të ndaleshin, pastaj i kanë fyer në gjuhën serbe.

Tutje – sipas Aktakuzës – në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri B.D e ka shtyrë më krah të dëmtuarin Xhenger Cana – duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup,

Gjithnjë – sipas Aktakuzës – të dëmtuarit: Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat, tani të ndjerit B.D., R.D. dhe F.B. kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave, ashtu që pas një jave, me lejen e Policisë serbe, familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve R.D., B.D. dhe F.B., te te cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që R.D. dhe B.D. ishin vendosur njëri mbi tjetrin – njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi, kurse viktima Fatmiri nuk e kishte pasur kokën në trup.


Në bazë të akuzave të lartcekura, ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale: “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli – teksa po mbahej në Paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast, mund t’i gjeni në këtë: LINK.