Gjykimi ndaj Shaban Gogajt, përsëri nuk prezanton avokati

Pas një viti bllokim të procesit ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt, sot përsëri ka dështuar të mbahet seanca në mungesë të mbrojtësit, avokatit Haxhi Çekaj.

Në seancë ishte prezent i akuzuari Shaban Gogaj, i akuzuari Isuf Cacaj, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, bashkëshortja e viktimës, Albesa Cacaj, si dhe mbrojtësi i prindërve të viktimës, avokati Berat Tmava.

Gjyqtarja tha se OAK paraprakisht si mbrojtës sipas detyrës zyrtare kishte caktuar avokatin Sylë Lokaj, por që i njëjti gjykatën e ka njoftuar gojarisht se nuk mund të jetë avokat pasi i njeh palët në procedurë.

Gjyqtarja tha se pastaj është caktuar si mbrojtës sipas detyrës zyrtare avokati Haxhi Çekaj, por se i njëjti dje e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të prezantoj pasi është njoftuar në kohë shumë të shkurtë për seancë.

Në anën tjetër gjykata tha se seanca nuk është anuluar pasi ka kaluar kohë e gjatë prej se kur i akuzuari ka qenë në seancës, andaj me qellim të informimit të tij për rrjedhën e procedurës seanca nuk është anuluar.

E dëmtuara Albesa Cacaj pati një kërkesë nga gjykata, e cila kërkoi që në seancat ku ajo nuk është prezent mos të lejohet që sipas saj të përdoret emri i saj.

“Në seancën më 18.02.2022 avokati në fjalë ka manipuluar me atë cka ka thënë sepse ajo ka dal në media dhe nuk është e vërtetë, ka thënë se ‘ajo ka heq dorë nga e drejta që unë me e përfaqësu e nuk është e vërtetë”.

Cacaj tha se nëse avokati ka etikë punë është dashtë me tregu pse ka ardh deri te ajo situatë.

Seanca e radhës janë caktuar më 16 qershor, 27 dhe 28 korrik të këtij viti.

KALLXO.com ka raportuar për të gjitha zvarritjet që e përshkruan këtë proces.

Në qershor të vitit 2021, Gjykata e Pejës përmes një vendimi ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

Paraprakisht avokati Berisha u dënua me gjobë 500 euro sepse sipas gjykatës i njëjti i ka përsëritur pyetjet e njëjta përkundër që i është tërhequr vërejtja, e po ashtu faktin se vazhdimisht ka deklaruar se gjykata e ka paragjykuar këtë çështje.

Bllokimi i këtij procesi ka ndodhur pas përjashtimit dhe dënimit më gjobë të avokatit Besnik Berisha.

Vendimi për shqiptimin e gjobës ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Pas përjashtimit të Berishës gjykata nuk arriti të caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare për Gogajn, kjo pasi Oda e Avokatëve kishte marrë vendim për moscaktim të asnjë avokati sipas detyrës zyrtare për këtë çështje.

Kujtojmë se në fjalën përfundimtare prokurori Agron Uka e kishte ricilësuar akuzën nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Ky veprim i prokurorit ngjalli reagime te familjarët e viktimës.

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, përmes një emaili ka alarmuar opinionin publik lidhur me dyshimet e tij se prokurori i cili përfaqëson akuzën në rastin për vrasjen e djalit të tij, Agonis Tetaj – prokurori Agron Uka ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasja e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Letra e Isuf Tetaj ishte drejtuar për mediat, shoqërinë civile, ambasadat e huaja në vend dhe bashkangjitur ka edhe videon e momentit të vrasjes së djalit të tij.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha avokati mbrojtës i të akuzuarit në këtë rast, Shaban Gogajt u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo shkaktoi reagime të mëdha, sidomos nga familja e të ndjerit, Agonis Tetaj.

Ish-kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi kishte marrë lëndën e vrasjes së Tetajt nga prokurori Agron Uka për t’ia ndarë dikujt tjetër. Prokurori i ri i rastit ishte caktuar Isuf Kadriu.

Ndërsa gjykata kishte rihapur shqyrtimin për këtë çështje.

Sipas aktakuzës se prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2021, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxorri revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

 

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur më këtë rast mund ti lexoni në këtë LINK.