Gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës - Dëshmitari Gazmend Hoti - 28.04.2021 - FOTO: Era Hasani - KALLXO

Gjykimi ndaj Sekiraqës - Dëshmitari Gazmend Hoti rrëfen për ditën kur ishte vrarë shoku i tij Triumf Riza

Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, është ballafaquar me deklaratat e Gazmend Hotit, pronari i lokalit “AM-PM”, në afërsi të të cilit ishte vrarë Riza.

Hoti i cili kishte pasur shok policin e vrarë Triumf Riza, para gjykatës tregoi se si kishte vijuar ngjarja në ditën kritike, meqë sipas tij sapo ishte ndarë nga tani i ndjeri Triumf Riza, kishte dëgjuar të shtënat e njëpasnjëshme.

“Triumfi pat një thirrje telefonike dhe u përshëndetëm jashtë lokalit tim, pasi hyra në lokal, u dëgjuan krismat, dola me vrap, krismat ishin si rrafall gjysmë automatike të shpejta, dhe në hyrje të tunelit e pashë një person me kaqket duke vrapuar”, përshkroi ngjarjen Hoti.

Në këtë shqyrtim, nuk ishin prezent familjarët e tani të ndjerit, që janë palë e dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Dëshmitari, tutje deklaroi se kishte dëgjuar për Enver Sekiraqën edhe më herët, madje i akuzuari edhe ka shkuar në lokal të dëshmitarit  si klient.

“Në atë kohë me të ardh Enver Sekiraqa në lokal nuk ka qenë vepër e mirë, mirëpo me u rreh nuk rreh kërkush, aq sa më kujtohet”, tha dëshmitari Gazmend Hoti.

Ndërsa, kur u pyet se a ishte në njohuri të problemeve të të ndjerit, ai deklaroi se vetëm problemet me Enver Sekiraqën i kishte aktuale, dhe se ato i kujtoheshin.

“Aktuale sipas të ndjerit ka qenë problemi me Enver Sekiraqën, sipas tij edhe jo sipas meje, si pjesëtar i Policisë së Kosovës ai ka pas raste të të gjitha llojeve dhe i ka komentu kohë pas kohe”, tha Hoti.

Problemet që dëshmitari iu referohej ishin momentet ku ai i kishte treguar që ndihet i kërcënuar nga tani i akuzuari Enver Sekiraqa.

“Ai e ka përmend më herët në bisedë që është i kërcënuar, e kur kanë ndodh ato veprime u dit ai sen, i ndjeri vazhdimisht është deklaruar se vazhdimisht ndihet i kërcënuar prej se ka qenë pjesëtar i policisë, jo vetëm këto raste që i përmenda po para këtyre”, tha Gazmend Hoti.

Për këtë seancë, është paraparë të dëgjohen si dëshmitarë edhe Blerim Shala dhe Faton Shoshi, mirëpo me deklaratën e dëshmitarit të parë do të vazhdohet sot gjatë ditës.

Ndërsa, deklarata e Faton Shoshit, do të dëgjohet nesër (29.04.2021) në seancën  e paralajmëruar nga trupi gjykues.

Kujtojmë se, Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekë edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje – 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Visar Riza: Enver Sekiraqa ma ka vra vëllanë