Gjykimi i Pjeter Shales-Deshmitari i mbrojtur, TW4-09

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës - Dëshmitari pretendon se katër persona ia kidnapuan babanë dhe e keqtrajtuan në Kukës

Të enjten para Dhomave të Specializuara në Hagë po jep dëshminë dëshmitari i katërt, TW4-09 në rastin e Pjetër Shalës, i cili rrëfeu për kidnapimin e babait dhe dërgimin e tij në një kamp në Kukës.

Krimet për të cilat prokuroria e ngarkon Shalën pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej nga UÇK-ja.

Dëshmitari identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur ka pretenduar se babai i tij në Shqipëri ishte kidnapuar nga katër persona.

“Familja ime ka ikur nga Kosova kur kanë filluar bombardimet e NATOS, me gjithë popullin shqiptar. Në Shqipëri në vitin 1999 ai ishte kidnapuar nga katër persona dhe është çu në një kamp në Kukës, kështu ka tregu. Këtë informatë e kam marr nga babai dhe nëna”- tha TW4-09.

Tutje ai shpjegoi se pasi është kidnapuar është dërguar në Kukës ku dhe e kanë kërcënuar.

“Nga kidnapimi, aty është njoftë një person, atë e ka njoftë vëllai i madh, ndërsa personat e tjerë nuk janë njoftë, edhe është dërguar në një kamp të vogël para se të shkoj në Kukës, ka pas kërcënime gjatë rrugës dhe kështu që e kanë çuar më vonë në Kukës, atje ku ka qëndruar deri në ditën e çlirimit. Është kërcënuar me vrasje, se cili nga ta do ta bëj, (babai) i ka thënë se ‘djemtë e kanë njoftë njërin prej jush, bëni si të doni”- shpjegoi dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se në Kukës babai ishte keqtrajtuar mizorisht.

“Më ka tregu se është keqtrajtuar mizorisht atje. E kanë rrah me shkopa gome, ia kanë pre me brisk lëkurën, disa herë ka ndodhur kjo”- deklaroi dëshmitari i mbrojtur.

TW4-09 më tej ka sqaruar se babi i tij ishte pyetur se ‘kush janë shpijunat’ dhe disa pyetje të tjera.

Dëshmitari ka njoftuar se babai ishte takuar me Pjetër Shalën, ku ai i ka pranuar se i ka gjuajtur me revole drejt kafenesë së tij.

“Bisedoi me Pjetër Shalën, Shala e ka fol me të dhe i ka thënë ‘pse e ke kërku dikun tjetër atë që ta ka gjujt kafen? Unë isha ai që e ka gjujt kafen edhe unë isha ai që isha tek shpia tek ti, pse nuk dole jashtë?’. Pjetër Shala vetë e ka pranuar”- tha TW4-09.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  akuzohet për krime lufte.

Krimet për të cilat ngarkohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, ku po mbahet në paraburgim.

Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.