Gjykimi ndaj Pjetër Shalës: Avokati merr në pyetje dëshmitarin e shtatë

Në Hagë, po zhvillohet gjykimi kundër Pjetër Shalës, ish-pjesëtarit të UÇK-së, i cili po akuzohet për krime lufte.

Mbrojtja e Pjetër Shalës, Mohamed Hédi Aouini, ka filluar të premten marrjen në pyetje të dëshmitarit të shtatë, i cili mban kodin TW4-01.

Deklarimi i dëshmitarit po zhvillohet në seancë private.

Paraprakisht, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka vendosur që të lejohet përdorimi i disa dokumenteve të nxjerra rishtazi për pyetje të dëshmitarit, siç kërkonte mbrojtja.

“Ju lejohet të përdorni materialet e nxjerra rishtazi”- tha gjykatësja Fogolia.

Krimet për të cilat Shala akuzohet pretendohet se u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që ishin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 dhe aktualisht mbahet në paraburgim. Më 19 prill 2021, ai paraqitet për herë të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të prokurorit të specializuar, përfaqësuesit të viktimave dhe të mbrojtjes.

Artikujt e tjerë lidhur me këtë çështje  mund t’i lexoni në këtë LINK.