Gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të ASHNA-s, akuzohen se dëmtuan buxhetin publik me rreth 2 milionë euro

Driton Mehaj dhe Bahri Nuredini, ish zyrtarë të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Të njëjtit janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat që iu vihen në barrë nga ana e prokurorisë.

Mehaj dhe Nuredini akuzohen se i kanë shkaktuar dëme ASHNA-s rreth dy milionë euro.

Ata akuzohen se i kanë mundësuar operatorit ekonomik ‘TCN International Sh.P.K’ nga Tirana, fitimin e një tenderi në mënyrë të kundërligjshme.

Në fjalën hyrëse mbrojtësi i të akuzuarit Driton Mehaj, Ilir Rashiti, aktakuzën e prokurorisë e konsideroi si kundërthënëse.

“Pasi që tani jemi lëshuar në shqyrtimin e aktakuzës dhe një gjykim meritor gjatë shqyrtimeve të mëvonshme, do të provohet se aktakuza është në kundërshtim me qëndrimet e saj të cilat mendoj se nuk i mbështet në prova të cilat kanë standardin e të provuarit”- tha Rashiti

Tutje  Rashiti kërkoi nga prokuroria që të specifikoj qartë veprimin e secilit të akuzuar dhe të bëjë përmirësimin e diapozitivit të aktakuzë.

“Fakti se në bazë të diapozitivit të aktakuzës, nuk kemi mundur të krijojmë lidhje se vepra penale a ekziston me rastin e nënshkrimit të kontratës apo bëhet fjalë pas nënshkrimit të kësaj kontrate. Propozoj se është e nevojshme të bëhet një përmirësim i dispozitivit të aktakuzës dhe të specifikohen veç e veç veprimet e secilit të akuzuar”-shtoi tutje Rashiti.

Lidhur me propozimin e mbrojtësit Rashiti për përmirësim të aktakuzës, prokuroria tha që pretendimet e njëjta kanë qenë në kërkesën për hedhje të aktakuzës nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve por e njëjta kërkesë ishte refuzuar.

Kurse në fjalën hyrëse prokurori Milot Krasniqi tha që pas administrimit të provave në këtë çështje penale do të vërtetohet në tërësi gjendja faktike si në aktakuzë.

“Do të vërtetohet në tërësi gjendja faktike si në aktakuzë pas të cilës gjykata do të marrë një vendim të drejtë në këtë çështje penale. Vlerësojmë se aktakuza është e mbështetur në prova dhe e bazuar në ligj”- tha Krasniqi.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Bahri Nuredini, Agron Selimaj,  fjalën hyrëse e kishte përgatitur me shkrim.

Në muajin maj të vitit 2022, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Bahri Nuredinit në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Driton Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në ASHNA.

Nuredini dhe Mehaj akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik ‘TCN International Sh.P.K.’ nga Tirana që të fitojë tenderin në mënyrë të kundërligjshme.

Me këtë sipas Prokurorisë Speciale, Nuredini dhe Mehaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në vlerë prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Nuredinit mandati si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror i ka përfunduar në qershor të vitit të kaluar.

 Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar

Në vitin 2018, “Jeta në Kosovë” pati publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar” në lidhje me keqpërdorimet.

Emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak, i dyti për sigurinë e këtij aeroporti, ndërsa në emisionin e tretë ka qenë prezent vetë Bahri Nuredini, i cili u përgjigj për të gjitha raportimet dhe gjetjet e dy emisioneve paraprake të fokusuara në Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA dhe punësimet aty. Ndërsa në emisionin e katërt ishte i pranishëm drejtori i Limakut për t’u përgjigjur akuzave.