Gjykimi ndaj ish-rektorit Vataj, dëshmitari: Rektori është përgjegjës për zbatimin e vendimeve të inspektoratit

Në gjykimin ndaj ish rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, në cilësinë e dëshmitarit sot ka dhënë dëshminë Adem Sallauka.

Sallauka, sqaroi se nga viti 2010 deri në vitin 2017, ka qenë sekretar i universitetit ku gjatë kësaj kohe rektor ka qenë Ramë Vataj.

Fillimisht, dëshmitari sqaroi procedurën lidhur me përgjegjësinë e pranimit të vendimit të lëshuar nga ana e Inspektoratit të Arsimit.

Sipas tij, nëse dokumenti ka të bëjë me çështje akademike ai shkon për shqyrtim tek rektori kurse nëse dokumenti ka të bëjë me çështje administrative atëherë ajo i adresohet sekretarit të universitetit.

Sa i përket rastit konkret ku Vataj po akuzohet se ia ka cenuar të drejtën e punësimit të dëmtuarit Vehbi Miftar,

Ai rrëfeu nuk ka njohuri lidhur me rastin konkret ngase në atë periudhë ka qenë i suspenduar.

Tutje ai shtoi se edhe pas kthimit nga suspendimi askush nuk e ka njoftuar për ankesën e Vehbi Miftarit dhe vendimin e inspektoratit.

“Si sekretar është e obliguar që të informohem me vendimet e inspektoratit në mënyrë që ta adresojë çështjen në zyrën ligjore por kjo nuk ka ndodhur”, tha ai.

Mirëpo, Sallauka theksoi se sipas ligjit Universiteti i Prizrenit, konkretisht rektori është i obliguar të zbatojë të gjitha vendimet që vijnë nga inspektorati.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit, gjykimi vazhdoi me leximin e provave.

Mirëpo për shkak të angazhimit të të dëmtuarit, seanca e sotme u ndërpre e njëjta u shty për datën 26 nëntor.

Aktakuza ndaj ish rektorit Ramë Vataj ishte ngritur me 10 qershor 2020, ku Vataj akuzohet se nga data 30 shtator 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia kishte mohuar apo kufizuar personave të tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Sipas aktakuzës, ish rektori nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016.

Tutje thuhet se Vataj në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.