Gjykimi ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha drejt fundit

Dy vite nga ngritja e aktakuzës ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve, sot me administrimin e provave gjykimi po shkon drejt fundit.

ish-ministrja Integrimeve, Dhurata Hoxha, ish-drejtori i prokurimit publik, Fitim Musafa dhe tre ish-sekretarët e kësaj ministrie, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani po përballen me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare për rastin e kontratave lobuese.

Prokurori i çështjes, Dren Paca kishte propozuar si prova materiale kontratat e lidhura në mes të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe kompanive të ndryshme, kontrata këto që arrijnë vlerën 519 mijë euro.

Gjithashtu, prokurori si prova ka paraqitur edhe faturat e lëshuara nga këto kompani dhe një dokument që sipas prokurorisë tregon juridiksionin dhe datën e themelimit të njërës nga kompanitë, konkretisht kompanisë Madison Global.

Për këtë provë, mbrojtja e ish-ministres Hoxha, avokati Florent Latifaj shprehu pretendimet se nuk janë relevante sepse janë të marra nga interneti dhe nuk janë informacione zyrtare.

“Kjo provë nuk është marrë në formë ligjore kjo provë që e ka paraqit prokurori që dmth kjo nuk paraqet bash kurgjo hiç meqë është siguruar thjesht nga interneti” – tha avokati Latifaj.

Tutje në seancë edhe pala e akuzuar me mbrojtje patën rastin të propozojnë provat e tyre.

Ndër provat e propozuara nga ana e avokatit Latifaj, ishin artikujt e gazetave të ndryshme vendore dhe të huaja, me tituj që sipas avokatit provohet procesi i lobimit pro integrimit evropian të Kosovës.

Për këto prova, prokurori tha se nuk i konteston por shpreh befasi që po i propozon mbrojtja pas kundërshtimit të provave të tij të marra nga interneti, pasi që sipas tij edhe ato artikuj janë të marra thjesht nga interneti.

“Për disa nga provat fillimisht dua të theksoj se nuk e kundërshtoj administrimin e tyre por kam vërejtje disa prej provave që u përmendën janë artikuj të mediave që kanë shkruar së fundmi dhe nuk janë dorëzuar më herët por tani. Po më befason fakti se si avokati sapo propozoi prova që po ashtu janë të mara nga interneti por e kundërshtonte provën time të marrë nga interneti, gjykata me rastin e administrimit duhet të ketë parasysh se kur t`i analizojë ato t`i analizojë në ndërlidhje me prova të tjera” – tha prokurori Dren Paca.

Në lidhje me këto propozime të provave, gjyqtari i çështjes, Arben Hoti njoftoi se do të merret vendimi në seancën e radhës.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po i akuzon se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Kontrata për lobim, Dhurata Hoxha rrezikon të dënohet deri në 10 vite burg

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.

Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve