Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi sot nuk është paraqitur fizikisht në seancë

Jakup Krasniqi nuk merrë pjesë fizikisht në seancën e sotshme të Speciales

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon edhe sot në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në seancën e sotme u bë e ditur se Jakup Krasniqi nuk do të merr pjesë fizikisht në seancë.

Gjyqtari kryesor i Speciales Charles Smith III në fjalën e tij hyrëse ka treguar se Jakup Krasniqi do të jetë i pranishëm dhe do ta përcjellë seancën në mënyrë elektronike pra përmes videos.

Për Krasniqin, i cili në janar të këtij viti ka mbushur 72 vjet, nuk u dha ndonjë informacion nëse ndonjë problem shëndetësorë e ka privuar nga pjesëmarrja apo ai vetë ka zgjedhur ta përcjellë seancën në mënyrë audio-vizuele.

Smith III jua ka kujtuar stafit mbrojtës dhe të tjerëve të pranishëm në Speciale se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë pjesë e rendit juridik të Republikës së Kosovës, në këtë kuptim ato me përpikëri i zbatojnë aktet juridike të Kosovës ku veçanërisht ka përmendur: Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Gjykata, nenet e të cilave i ka përdorur pikërisht për të sqaruar rolin aktiv sa i përket bërjes së pyetjeve që po e luan gjykata ndaj dëshmitarëve.

Ai e ftoi prokuroren Silva Dasuli të prezantojë dëshmitarin e radhës.

Pas kësaj Gjykata ka kaluar në seancë të mbyllur.

Në rastin e titulluar nga gjykata si “Thaçi et al” (në shqip: Thaçi dhe të tjerët) gjykata po gjykon Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin me pretendimin e prokurorisë se këta kanë qenë të përfshirë në krime të cilat kanë ndodhur së paku prej Marsit të vitit 1998 e deri në Shtator të vitit 1999 në disa lokacione në Kosovë dhe edhe pjesën veriore të Shqipërisë në Kukës e Cahan.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 22 korrik 2021, gjyqtari i procedurës paraprake pranoi pjesërisht mocionet e mbrojtjes dhe urdhëroi prokurorinë të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, ndër të tjera, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krimet me dashje të veçantë. Prokuroria e ngriti aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021.

Më 23 dhjetor 2021, gjyqtari i procedurës paraprake i dha leje prokurorisë për të ndryshuar aktakuzën në mënyrë që të përfshijë një sërë pretendimesh të reja. Më 22 korrik 2022, gjyqtari i procedurës paraprake pranoi, pjesërisht, kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që pretendonte për defekte në aktakuzën e fundit dhe urdhëroi prokurorinë që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar më tutje, me informacion shtesë për akuzat aktuale.

Më 29 shtator 2022, gjyqtari i procedurës paraprake pranoi kërkesën e prokurorinë për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt nga aktakuza e cila u ngrit më 30 shtator. 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës është ngritur më 27 shkurt 2023.

Të katër akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në lidhur me pretendimet e prokurorisë së Speciales.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor në Hagë mund t`i lexoni duke klikuar në LINK