Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari dëshmon në seancë të mbyllur për publikun

Në Dhomat e Specializuara në Hagë edhe sot ka vazhduar gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në seancën e sotme, e cila ishte e mbyllur për publikun, dëshmitari i katërt, i koduar me numrin 4748, u pyet nga Gregory Kehoe, avokati i Hashim Thaçit.

I njëjti dëshmitar do të vazhdojë dëshminë edhe në seancat e ardhshme, ku do të merret në pyetje nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka filluar më 3 prill 2023 dhe deri më tani janë dëgjuar katër dëshmitarë.

Prokuroria pretendon se ka mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë në këtë çështje.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve përballet me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Ata gjithashtu akuzohen edhe me katër pretendime për krime lufte, përfshirë arrestim dhe ndalim të paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet janë kryer gjatë periudhës nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Rasportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.