Gjykimi ndaj Ilir Baldedës, dëshmitari: Projektet mund të funksionalizohen pa pëlqimin e ASHI-së

Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është ballafaquar sot me dëshminë e dy dëshmitarëve.

Baldedaj, po akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka shpallur tenderë për dy projekte në Komunën e Prizrenit por më pas ato nuk i ka funksionalizuar.

Prokuroria pretendon se shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar ndaj Komunës së Prizrenit kap vlerën e 100,898.98 euro.

Dëshmitari Selim Lulaj të martën në Gjykatën e Prizrenit deklaroi se të gjitha projektet përfshirë këtu projektin “Smart City” dhe “Furnizimin me Software digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit” kanë mundur të vihen në funksion pa pëlqimin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

Lulaj arsyetoi se kjo ka ndodhur për faktin se ASHI-së i kanë munguar strukturat për trajtimin e projekteve.

“Të gjitha projektet deri në vitin 2019, askush nuk ka marrë pëlqim nga ASHI sepse nuk ka pasur struktura për trajtimin e projekteve. Komisioni ka qenë i formuar në vitin 2018 pas miratimit të rregullores për menaxhimin e TIK-ut e cila ka obliguar ASHI për krijimin e një komisioni”, deklaroi Lulaj.

Lulaj, tutje sqaroi se rregullorja për koordinim mes agjencionit dhe zyrave përkatëse të TIK-ut mund ta ketë paraparë fillimisht marrjen e pëlqimit për t`u implementuar, mirëpo sipas tij kanë munguar mekanizmat e tjerë.

“Të gjitha institucionet deri në vitin 2019 kanë zhvilluar projekte të fushës së TIK-ut pa miratim.

Ligji ka paraparë që të merren pëlqime mirëpo ligji duhet t’i ketë instrumentet për implementim që do të thotë se para hyrjes në fuqi të këtij ligji ka qenë e pamundur që të realizohet sepse nuk ka pasur mekanizma që institucionet obligohen të marrin pëlqim nga ASHI”-përfundoi dëshmitari.

Pas tij u dëgjua Bashkim Selmani dëshmitar i mbrojtjes i cili përpara trupit gjykues deklaroi se për dy projektet e lartcekura që janë edhe objekt i akuzës janë zhvilluar me procedurë pranë organit shqyrtues të prokurimit(OSHP-së).

Selmani shtoi se produktet dhe shërbimet që kanë qenë objekt i kontratave janë dorëzuar në procedurë të rregullt dhe në përputhje me tenderin.

I njëjti argumentoi se dy projektet “Smart City” dhe “Furnizimin me Software digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit” janë funksionalizuar.

“Të dy projektet kanë qenë funksionale dhe ka dëshmi për to, mirëmbajtja e tyre është bërë në përputhje me kërkesat e tenderit”, tha dëshmitari Selmani.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, gjykimi vazhdoi me leximin e provave.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për 4 korrik 2022.

Ilir Baldedaj sipas aktakuzës të datës 29 dhjetor 2020, akuzohet se duke vepruar në cilësi të drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit, në kundërshtim me ligjin paraqet kërkesë për shpallje të dy tenderëve të cilët më pas nuk i ka realizuar.

Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2016, Baldedaj duke mos respektuar procedurat ligjore, paraqet kërkesë për shpallje të tenderit për projektin “Furnizimin me Sofware digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.

Ndonëse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, projekti më pas nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 28 mijë eurove.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i njëjti gjatë vitit 2017, si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, pa respektuar procedurat ligjore dhe pa kërkuar leje nga organet kompetente qendrore, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”, i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar

Komunës së Prizrenit dëm në shumën 72,898.98 euro.
Prokuroria pretendon se shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar ndaj Komunës së Prizrenit kap vlerën e 100,898.98 euro.

Kjo nuk është hera e parë që ish drejtori i administratës dhe asamblisti i AAK-së Ilir Baldedaj po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Më 10 shtator të vitit 2021, asamblisti i AAK-së është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Ndaj tij në të kaluarën gjithashtu rëndonin edhe akuza të tjera për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ilir Baldedaj ishte akuzuar se ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale dhe për këto akuzua me 25 maj 2018, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, pas një hulumtimi të KALLXO.com më 22 gusht 2019, Prokuroria në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedajt nën akuzat rreth moskthimit të lap-topëve të Komunës, në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.

Për këto pretendime, me 1 janar 2021, ai u dënua me burgim efektiv prej 10 muajve si dhe dënim plotësues gjykata i shqiptoi ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën ose në shërbimin publik në afat prej 3 viteve.

Mirëpo, Apeli në prill të vitit 2021, lëndën e ka kthyer në rigjykim ku edhe është duke u zhvilluar procesi gjyqësor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Ilir Baldedaj mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.