Gjykimi ndaj Ilir Baldedajt, akuzohet se i shkaktoi dëme buxhetit të komunës së Prizrenit mbi 100 mijë euro

Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është ballafaquar sot me dëshmitarin Osman Hajdari.

Baldedaj, po akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka shpallur tenderë për dy projekte në Komunën e Prizrenit por më pas ato nuk i ka funksionalizuar.

Prokuroria pretendon se shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar ndaj Komunës së Prizrenit kap vlerën e 100,898.98 euro.

Dëshmitari Osman Hajdari, deklaroi se për implementimin e dy projekteve  “Smart City” dhe “Softwer dixhital i arkivës elektronike të gjendjes civile” kishte munguar pëlqimi nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit(ASHI).

Sipas tij, që nga fillimi i mandatit të drejtorit, ai kishte analizuar projektet e pranuara dhe ka vërejtur se dy projektet e lartcekura kanë pasur probleme në implementim.

“Këto dy projekte nuk janë funksionalizuar pra, nuk kanë qenë të impelmentuara. “Smart City” ka qenë projekt për telefonat e mençur e cila ka qenë jo aktive dhe funksionale. Kurse, projekti tjetër rreth sowfterit të arkivës elektronike ishte e planifikuar vetëm për qendrën dhe së dyti nuk kishte pasur pëlqim nga ASHI”, deklaroi dëshmitari.

Pos këtyre, Hajdari tha se arkiva elektronike ka qenë në nivelin qendror, prandaj krijimi i një projekti të tillë nënkuptonte vetëm dublifikimin e të dhënave.

“Arkiva elektronike nuk ka mundur të funksionalizohet sepse ka ekzistuar arkiva qendrore, kjo ka qenë një lloj dublifikimi. Prandaj, nuk mundesh thjeshtë me dublifiku të dhënat nga sistemi qendror në sistemin e brendshëm të Komunës, sepse, ato me automatizëm arkivohen në E arkivën e shtetit”, tha Hajdari.

Lidhur me projektet dëshmitari Hajdari theksoi se projekti i arkivës kishte qenë i planifikuar në buxhetin e Komunës, ndërsa “Smart City” kishte qenë i pa planifikuar ku realizimi i kontratës dhe pagesat ishin bërë përmes përmbaruesit.

Në vijim të gjykimit u dëgjua edhe dëshmitari Adnan Kurejshi, i cili përpara trupit gjykues deklaroi se këto projekte nuk kanë pasur leje nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit(ASHI), prandaj nuk kanë mundur të funksinalizohen.

Seancat e radhës lidhur me këtë rast u caktuan për 12 prill dhe 10 maj 2022.

Ilir Baldedaj sipas aktakuzës të datës 29 dhjetor 2020, akuzohet se duke vepruar në cilësi të drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit, në kundërshtim me ligjin paraqet kërkesë për shpallje të dy tenderëve të cilët më pas nuk i ka realizuar.

Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2016, Baldedaj duke mos respektuar procedurat ligjore, paraqet kërkesë për shpallje të tenderit për projektin “Furnizimin me Software digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.

Ndonëse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, projekti më pas nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 28 mijë eurove.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i njëjti gjatë vitit 2017, si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, pa respektuar procedurat ligjore dhe pa kërkuar leje nga organet kompetente qendrore, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”, i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në shumën 72,898.98 euro.

Prokuroria pretendon se shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar ndaj Komunës së Prizrenit kap vlerën e 100,898.98 euro.

Kjo nuk është hera e parë që ish drejtori i administratës dhe asamblisti i AAK-së Ilir Baldedaj po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Më 10 shtator të vitit 2021, asamblisti i AAK-së është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Ndaj tij në të kaluarën gjithashtu rëndonin edhe akuza të tjera për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ilir Baldedaj ishte akuzuar se ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale dhe për këto akuzua me 25 maj 2018, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, pas një hulumtimi të KALLXO.com më 22 gusht 2019, Prokuroria në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedajt nën akuzat rreth moskthimit të lap-topëve të Komunës, në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.

Për këto pretendime, me 1 janar 2021, ai u dënua me burgim efektiv prej 10 muajve si dhe dënim plotësues gjykata i shqiptoi ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën ose në shërbimin publik në afat prej 3 viteve.

Mirëpo, Apeli në prill të vitit 2021, lëndën e ka kthyer në rigjykim ku edhe është duke u zhvilluar procesi gjyqësor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Ilir Baldedaj mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.