Gjykimi ndaj dy hetuesve të Policisë, shtyhet seanca pasi mungoi i akuzuari Menxhiqi
Në seancën e radhës ndaj dy hetuesve të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, mungoi njëri nga të akuzuarit.
Në seancën e datës 05.12.2024 në Gjykatën e Prishtinës nuk është paraqitur i akuzuari Lutfi Menxhiqi.
Dy të akuzuarit Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, hetues të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës nga Prokuroria po akuzohen për marrje ryshfeti.
Paraprakisht gjyqtarja Sulltane Hoti njoftoi se para fillimit të seancës kishte pranuar një raport mjekësor të të akuzuarit Menxhiqi.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi, avokati Skender Musa tha se i mbrojturi i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tha se të njëjtit mjeku i ka rekomanduar 3 javë regjim shtrati, dhe propozoi që seanca e sotme të shtyhet dhe të caktohet për një afat më të largët, për shkak të gjendjes shëndetësore të të njëjtit.
Tutje, prokurori i rastit, Zef Prendrecaj tha se kjo është arsye për të zvarritur procesin dhe i kërkoi gjykatës një kopje të raportit mjekësor të të akuzuarit Menxhiqi.
Tutje, Prendrecaj kërkoi nga Gjykata që të caktohet një datë më e afërt për këtë çështje penale.
Në mungesë të të akuzuarit Menxhiqi, kryetarja e trupit gjykues Sulltane Hoti njoftoi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës.
Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale është caktuar për në muajin janar 2025.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Sulltane Hoti (kryetare) dhe Avni Syla dhe Alban Ajvazi (antarë).
Të akuzuarit Osmani dhe Menxhiqi ishin shpallur fajtor dhe ishin dënuar për afera korruptive nga Gjykata e Prishtinës në shkurt të vitit 2022, por rasti ndaj tyre është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Lavdim Osmani ishte dënuar me 6 vite e 6 muaj burgim dhe me gjobë në shumë prej 4 mijë euro, ndërsa Menxhiqi ishte dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë në lartësi 4 mijë euro.
Sipas aktakuzës, ata kishin arritur marrëveshje me D. H. që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit. Sipas Prokurorisë dy hetuesit ishin takuar me D. B. dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D. H., me ç ‘rast së bashku kanë arritur marrëveshje se nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kishin premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit.
Përpos saj, Osmanaj akuzohet edhe se i kishte marrë edhe 3 mijë euro ryshfet nga dëshmitari D. H., para të cilat dëshmitari i kishte marrë paraprakisht nga dëshmitari M. M. në një nga restorantet në rrugën Prishtinë – Lipjan.
Ai akuzohet edhe se nën masat e simulimit të veprës penale i kishte pranuar para dhe menjëherë pasi kishte dalë nga vetura ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Ndryshe nga Osmanaj, ish-polici Menxhiqi akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare pasi e kishte njoftuar paraprakisht dëshmitarin D.H. se Policia kishte filluar kontrollin për lojërat e fatit në Fushë Kosovë. Menxhiqi u akuzua edhe për armëmbajtje pa leje.
Për më shumë lajme rreth këtij rasti i gjen në këtë LINK