Gjykimi ndaj Asdren Mekaj - 03.12.2021 - FOTO KALLXO - Arlinda Mehmeti

Gjykimi ndaj djalit të gjyqtares, dëshmitari: Djali im ka qenë vazhdimisht i kërcënuar nga Asdren Mekaj

 

Gjykimi ndaj Asdren Mekajt, i akuzuar se ka përdorur shantazhe dhe kërcënime të rënda ndaj Pal Grudës, duke e detyruar t’i japë edhe të holla në periudha të ndryshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit.

Zef Gruda, babai i të dëmtuarit, sqaroi për trupin gjykues se Pal Gruda kishte qenë i kërcënuar nga “forca e familjes Mekaj”.

“Pali më ka njoftuar se ka qenë i kërcënuar prej Asdrenit, dhe atë duke përdorur fjalët ‘unë e kam babën avokat, nënën gjyqtare dhe xhaxhain e kam kryetar të Apelit, prandaj duhet të veprosh si të them unë’”, tha dëshmitari Gruda.

Sipas tij, pikënisja dhe rrezikshmëria për djalin e tij ishte ortakëria e krijuar pa asnjë kontratë të shkruar mes Asdren Mekajt dhe Pal Grudës.

Gruda e arsyetoi djalin e tij me faktin se ai kishte qenë vetëm 19 vjeç kur ishte nxitur nga Mekaj që t’ia blejë aksionet në lokalin “Route 66” në mënyrë që të bëhej i pavarur financiarisht dhe të mos i bëhej barrë familjes së tij.

“Asdren Mekaj dhe disa persona e kanë bindur Pal Grudën që me pak pare mund të fiton shumë, prandaj edhe i kanë ofruar një lokal në Tiranë “Route 66”,  për të cilin i kanë thënë se ne do të qëndrojmë prapa teje”, ka rrëfyer dëshmitari Gruda.

Pos investimit fillestar prej 15 mijë euro të cilin Pal Gruda e kishte paguar, ai në vazhdimësi ishte obliguar që të investonte dhe të paguante edhe borxhet e tjera të biznesit.

Përveç kësaj, Zef Gruda theksoi se djali i tij është mashtruar nga Mekaj edhe me anë të shitblerjes së veturave të shumta për çka e ka futur në borxh Pal Grudën, i cili ishte i detyruar që t’i marrë edhe kursimet e familjes, të holla dhe sasi ari.

Për të gjitha këto veprime, Zef Gruda sqaroi për trupin gjykues se Pal Gruda kishte qenë i kërcënuar nga “fuqia e familjes Mekaj”.

Për shkak se anëtari i trupit gjykues, Luna Berisha ishte i zënë në një gjykim tjetër, seanca e sotme u shtye për datën 15 dhe 16 shkurt 2022.

Më 17 janar 2018, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Asdren Mekajt për shkak të kryerjes së veprës penale  detyrimi.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat Mekaj vetë i ka caktuar.

Në këtë mënyrë sipas Prokurorisë Speciale,  Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Mekaj ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale të shantazhit, por Gjykata e Prizrenit më 31 gusht 2019, ka marrë aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.

Asdren Mekaj, ndaj të cilit po zhvillohet procesi, është djali i gjyqtares së krimeve të rënda, Nushe Mekaj dhe kushëri i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, saktësisht nipi i tij.

 

 

https://kallxo.com/tag/asdren-mekaj/