I akuzuari Andi Pajaziti | Foto: KALLXO.com/05.12.2024

Gjykimi ndaj Andi Pajazitit, prokurorja kërkon të vlerësohet kompetenca lëndore

Në gjykimin në të cilin po akuzohet Andi Pajaziti në lidhjen me vrasjen që kishte ndodhur në lokalin ‘BonVivant’ në kryeqytet, ka munguar prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, e cuka nuk është paraqitur në seancë.

Ajo ka dërguar një parashtresë duke theksuar se lëndën e ka dërguar tek kryeprokurori Zejnullah Gashi për shqyrtim të kompetencës lëndore.

Sipas njoftimit që i ka dërguar gjykatës, prokurorja ka specifikuar se pas analizimit të hollësishëm të gjendjes faktike, çështja i është dërguar kryeprokurorit për shqyrtim të ndryshimit të departamentit.

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin e Përgjithshëm, në të cilin dënueshmëria është vetëm deri në 10 vite.

“Pas analizimit të hollësishëm të gjendjes faktike në këtë çështje penale të cekur, kam parashtruar kërkesë për kompetencë lëndore dhe lënda është përcjellë te Zejnullah Gashi për me u caktu kompetenca për rastin në fjalë”- e citoi njoftimin e prokurores, gjyqtari Eroll Gashi.

Florent Latifaj, avokati i të akuzuarit, Andi Pajaziti tha se prokuroria po e saboton punën, duke u munduar të ndikoj në ndryshim të kompetencës në mënyrë klandestine.

Latifaj tha se kjo është hera e dytë që po tentohet të bëhet një gjë e tillë.

“Me lidhje, shantazhe, “dallavere” të provohet të ndikohet gjithçka çka e kanë pa sytë e 1 milion e diçka shqiptarëve. Krejt nëse kanë me arritë me i bo, atë s’kanë me arritë me bo” – tha avokati Florent Latifaj.

“Ju bëj thirrje tani, që në mungesë të aktakuzës, çdo qëndrim i Andi Pajaziti, nga ky moment në masën e paraburgimit është jo ligjor, është shkelje e të drejtave të njeriut. Prokurori s’po e pranon aktakuzën e vet, në mungesë të prokurorit, çdo qëndrim edhe një sekond i Andi Pajazitit, në masën e paraburgimit është shkelje ligjore, shkelje e të drejtave të njeriut, kushtetues. Turp për institucionet e drejtësisë, se çka po dojnë me bo me këtë lëndë”- tha Latifaj.

Kujtojmë që ky rast tashmë ka përfunduar me dëgjimin e dëshmitarëve, ekspertëve mjekësorë dhe ka arritur në fazën, në të cilat janë janë duke u administruar provat materiale.

Lidhur me aktakuzën e Prokurorisë së Prishtinës për këtë rast, ka reaguar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Flakron Sylejmani i cili e ka konsideruar si skandaloze këtë aktakuzë.

“Aktakuza në fjalë është skandaloze dhe si e tillë është e papranueshme për palët. Kemi të bëjmë me një rast të cilin e konsiderojmë se prokuroria nuk e ka kryer punën siç duhet.”- tha përfaqësuesi i palës së dëmtuar,Flakron Sylejmani.

Ai tha se me tu paraqitur aktakuza në gjykatë për tu gjykuar, nuk kishte të propozuar asnjë dëshmitarë për tu dëgjuar.

“Nuk ka propozuar asnjë dëshmitarë, nuk ka propozuar madje as prova të cilat janë në shkresa të lëndës. Nuk ka kryer të gjitha ekzaminimet. ” – shtoi tutje përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Sylejmani.

Ndërsa avokati tjetër i Andi Pajazitit, Fanol Krasniqi ka thënë se prokurorja, Nebahate Salihu “ka falsifikuar” parashtresat që i ka dorëzuar në Gjykatë me të cilat ishte thirrur për të bërë rikualifikim të veprës penale.

“Prokuroria konkretisht Nebahate Salihu ka bërë fabrikimin e dy parashtresave ose me fjalë të tjera ka bërë falsifikim. Në dy parashtresat e datës 15.10.2024 janë në përmbajtje të ndryshme. Në parashtresën e parë të kësaj prokurore thuhet citojmë ‘pas paraqitjes se provave të reja, në këtë çështje penale juridike nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Flakron Sylejmani pas analizimit të provave të reja lëndën në Departamentin e Përgjithshëm e delegojnë në Departamentin e Krimeve të Rënda’”. – tha Fanol Krasniqi, avokat i Andi Pajazitit.

“Kurse në parashtresën e dytë të datës së njëjtë iu shmanget paraqitjes së provave të reja duke shtuar se nuk ka prova të reja, mirëpo Prokuroria nuk ka arritur me i vlerësuar secilën një nga një” – shtoi tutje.

Pra sipas avokatit Krasniqi njëherë prokuroria thotë se kemi pranuar prova të reja, “e pas 1 ore i bie pishman thotë se provat që gjenden në shkresa të lëndës nuk janë analizuar në mënyrë detaje.” Sipas tij pikërisht këtu është falsifikimi i prokurores.

Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:15, ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K.R.

Dosja përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.

Pas tensionimit të situatës, sipas Prokurorisë, ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K.R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.

Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtie më armë zjarri me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K.R.

Sipas dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.

Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme shëndetësore.

Vdekja e K.R., sipas Prokurorisë, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.

Arma e cila është përdorur, sipas Prokurorisë, është tip “Smith” e kalibrit 9mm.

Për këtë, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.08.2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.

Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R., i cili kishte vdekur në QKUK.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.