Gjykimi ndaj 4 të akuzuarve për mashtrim në detyrë, dyshohet se e dëmtuan Komunën e Drenasit me mbi 56 mijë euro

Në seancën e mbajtur më datë 11.12.2024, ndaj katër të akuzuarve për mashtrim në detyrë janë dhënë fjalët hyrëse.

Lidhur në këtë rast të akuzuar janë Besim Tahiraj, Abit Zariqi, Xhavit Nebihi, dhe Afrim Krasniqi, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për mashtrim në detyrë.

Të pandehurit Besim Tahiraj, Abit Zariqi dhe Xhavit Nebihi, po akuzohen si persona zyrtarë, ndërsa i pandehuri Afrim Krasniqi, si person përgjegjës pronar i firmës “Vëllezërit Krasniqi”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër kanë bërë prezantime të rreme të raportit të llogarive, duke vënë në lajthim personin e autorizuar në kryerjen e pagesës së kundërligjshme për punët të cilat nuk ishin kryer.

Me pëlqimin e palëve aktakuza u konsiderua e lexuar, ndërsa të pandehurit u pyetën sërish rreth fajësisë.

Të akuzuarit u deklaruan se dihen të pafajshëm për veprën penale e cila u vihet në barrë.

Seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorit Zef Prendrecaj. I njëjti në fjalën hyrëse tha se Prokuroria konsideron se janë mbledhur prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë.

Tutje, prokurori Prendrecaj tha se pas shqyrtimit dhe administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitarëve, trupi gjykues do të bindet se të akuzuarit janë përgjegjës për veprimet e tyre të kundërligjshme, dhe se ka prova të mjaftueshme që e vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Ndërsa përfaqësuesi i komunës së Drenasit, avokati Kushtrim Bytyqi tha se e mbështet ndjekjen penale sipas aktakuzës, si dhe parashtron kërkesë pasurore juridike.

Fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Besim Tahiraj, avokati Ibrahim Dobruna të cilën e dorëzoi në formë të shkruar dhe të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta.

Avokati Dobruna në fjalën hyrëse tha se në këtë proces do të shihet se provat janë të pamjaftueshme dhe jo të plota duke shtuar se i mbrojturi i tij nuk e ka dëmtuar askënd dhe nuk ka përfituar për vete, dhe kërkoi nga Gjykata që të mbajturin e tij ta shpallë të pafajshëm.

Ndërsa i akuzuari Besim Tahiraj në fjalën hyrëse tha se e mbështet fjalën e avokatit të tij, dhe tha se në aspektin profesional është munduar të japë maksimumin e tij  dhe tha se kjo lëndë e ka shqetësuar shumë atë, autoritetin dhe familjen e tij.

Fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësja e të akuzuarit Abit Zariqi, avokatja Nilaj Nobërdali- Turku.

Avokatja Nobërdali- Turku tha se aktakuza është në tërësi e pabazuar dhe në kundërshtim me dispozitat e nenit 7 paragrafi 1 dhe 2 të KPRK-së, dhe se kjo gjë që do të dëshmohet gjatë procedurës pas administrimit të provave dhe se i mbrojturi i saj do të lirohet nga akuza.

I akuzuari Abit Zariqi tha se e mbështet fjalën hyrëse të avokates së tij dhe tha se lidhur me këtë situatë kishte marrur vesh pasi kishte shkuar në hetuesi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Nebihu, avokati Imer Beka në fjalën hyrëse tha se aktakuza sa i përket të mbrojturit të tij është në tërësi e pabazuar dhe tha se prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen kauzale mes veprimit dhe pasojës, si dhe se beson se i akuzuari Xhavit Nebihi dhe të tjerët do të shpallen të pafajshëm.

Ndërsa i akuzuari Nebihi, deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të avokatit të tij.

Në fund fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Krasniqi, avokati Arif Hasi.

Avokati Hasi tha se si mbrojtje konsideron se në këtë çështje penale ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale për të mbrojturin e tij, si dhe kishte pritur nga prokuroria që për të mbrojturin e tij të bëjë rikualifikimin e veprës penale pasi që nuk ka të bëjë me mashtrim në detyrë por ka të bëjë me kryerjen e pandërgjegjshme të punimeve.

Ndërsa i akuzuari Afrim Krasniqi deklaroi se mbështet fjalën hyrëse të avokatit të tij dhe tha se ai ka qenë punëkryesi që i ka kry punimet dhe tha se kërkon nga gjykata një komision që të dalin në vend të ngjarjes.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin dëshmitarë, mirëpo në mungesë të tyre seanca e sotme (11.12.2024) u ndërpre.

Seanca fillestare lidhur me këtë rast ishte mbajtur më datë 14.11.2023.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për në muajin shkurt 2025.

I akuzuar lidhur me këtë rast kishte qenë edhe F. Q., mirëpo ndaj tij procedura penale ka pushuar pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Alltëne Murseli (kryetare), dhe (anëtarë) Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës, së datës 22.12.2020, prej periudhës kohore të vitit 2010 e deri më datë 25 qershor 2020, të pandehurit F. Q., Besim Tahiraj, Abit Zariqi dhe Xhavit Nebihi, akuzohen se si persona zyrtar, ndërsa i pandehuri Afrim Krasniqi, person përgjegjës si pronar i firmës “Vëllezërit Krasniqi”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër kanë bërë prezantime të rreme të raportit të llogarive, duke vënë në lajthim personin e autorizuar në kryerjen e pagesës së kundërligjshme për punët të cilat nuk ishin kryer.

Sipas aktakuzës i pandehuri F. Q. , në cilësinë e zyrtarit të Komunës së Drenasit, si organ mbikëqyrës për menaxhimin e kontratës në realizimin e projektit “Ndërtimi i rezervarit për ujë të pijes në Kamenicë-Faza e II-të”, në vlerë prej 56,445.60 , me të cilën kontratë ishte paraparë realizimi, ndërtimi i ujësjellësit për disa fshatra nga bazenet e Feronikelit dhe atij në Kamenicë, furnizimi i 22 fshatrave në Komunë të Drenasit, ku kompania NN, Vëllezërit Krasniqi-Drenas”, me pronar Afrim Krasniqi, kanë lidhur kontratë më datë 18.11.2010.

Tutje, sipas aktakuzës në bashkëkryerje edhe me personat zyrtar, të pandehurit Besim Tahiraj, Abit Zariqi dhe Xhavit Nebihi, në cilësinë e anëtarëve të komisionit të pranimit teknik të këtij projekti, me dashje me veprimet e tyre i kanë mundësuar punëkryesit, pronarit të kompanisë N.N. “Vëllezërit Krasniqi”, të pandehurit Afrim Krasniqi, që mos t`i kryej punët ashtu siç kanë qenë të specifikuara në kontratë, duke e bërë pranimin teknik, duke përpiluar raport me shkrim në të cilin thuhet se punimet teknikisht pranohen pas shikimit të rezervuarit, dokumentacionit dhe ditarit ndërtimor.

Sipas aktakuzës, më vonë në bazë të raportit të komisionit të formuar nga komuna e Drenasit, për verifikim të gjendjes faktike në terren të datës 25.06.2020, rezulton se projekti nuk është funksional, sepse gypat nuk kanë qenë të lidhur fare, si dhe trashësia e gypit të ujësjellësit nuk i përgjigjet trashësisë së gypit siç ka qenë e paraparë në kontratë, me ç’rast me një veprim të tillë Komuna e Drenasit, është dëmtuar në vlerë prej rreth 56,445.60.

Me këtë të pandehurit e lartcekur po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”.