Tre të akuzuarit: Egzon Azemi, Naim Bunjaku, Luan Hoti gjatë seancës së datës 18.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës.
Gjykimi lidhur me protestën e LVV-së në vitin 2015, ish-asamblisti i LVV-së e quan të kotë aktakuzën
Në Gjykatën e Prishtinës pas disa dështimesh është mbajtur më 18.09.2024 shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve Egzon Azemi, Luan Hoti dhe Naim Bunjaku, të akuzuar për protestën në të cilën kishin pësuar lëndime tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, më 17 dhe 18.11.2015.
Të njëjtit po akuzohen për veprat penale: “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”. Lidhur me akuzat në fjalë tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Para këtij deklarim, gjyqtari i pyeti të akuzuarit nëse dëshirojnë ta dëgjojnë leximin e aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit, Blerim Igrishta.
“Po le të dëgjohet, me u dëgju sa e kotë është” – u përgjigj Egzon Azemi.
Më pas tre të akuzuarit u deklaruan lidhur me pranimin ose jo të fajësisë.
“Absolutisht jo [nuk ndihem i fajshëm]. Nëse shikohet aktakuza dhe dëshmitë që janë në të vërehet qartë se në atë protestë në dorë kam pasur një megafaon. Dhe për arsyen që kemi protestuar, sot në gjithë vendin ekziston unitet politik, sepse kanë qenë marrëveshje të dëmshme. Madje edhe atë vetë që i kanë nënshkruar konstatojnë se ‘Zajednica’ dhe Demarkacioni janë marrëveshje të dëmshme për vendin’” – deklaroi i akuzuari Azemi.
Ndërsa Luan Bunjaku jo vetëm që tha se është i pafajshëm, por e akuzoi prokurorinë për aktakuzë të motivuar.
“Jo nuk ndihem fajtor. Mendoj që prokurori ka pasur motive politike për ngritjen e aktakuzës” – u shpreh ai.
E sipas të akuzuarit të tretë, pafajësia për veprën penale rrjedhë për shkak të kauzës së drejtë.
“Jo nuk ndihem fajtor për veprën penale për shkak se kauza jonë ka qenë e drejtë dhe [kjo] është vërtetuar” – deklaroi i akuzuari, Luan Hoti.
Në fund të seancës u deklaruan mbrojtësit e të pandehurve, përkatësisht mbrojtësja e Naim Bunjaku, avokatja Shemsije Asllani, mbrojtësi i Luan Hotit, avokati Shkëzen Behrami, si dhe mbrojtësi i Egzon Azemit, avokati Agron Curri. Të njëjtit thanë se nuk kanë çfarë të shtojnë pas deklarimit të të mbrojturve të tyre por konfirmuan që të tre se brenda afatit do të parashtrojnë kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Me aktvendim të veçantë gjyqtari Eroll Gashi e përcaktoi datën 18.10.2024 si afat për paraqitjen e kërkesave për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.
Aktakuza në këtë rast ishte ngritur përveç të lartëcekurve edhe ndaj 3 të akuzuarve të tjerë, përkatësisht: Kushtrim Avdimetajt, Veron Hasanit dhe Ardian Hulit, por procedura ndaj tyre ishte veçuar për shkak të mungesave të shpeshta.
Çka thotë aktakuza për këtë rast?
Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit Egzon Azemi, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Luan Hoti, Ardian Huli e Naim Bunajku, më datë 17 dhe 18 nëntor 2015, rreth orës 12:00 deri rreth orës 20:00, kishin marrë pjesë në protestë e cila kishte eskaluar.
Të njëjtit akuzohen se kishin sulmuar me gurë dhe kubëza betoni e mjete tjera të forta zyrtarët policorë: Ismail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa.
Dosja thotë së zyrtarët policorë kishin marrë lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin nga këto sulme dhe për të njëjtat kishte ekspertizë mjekoligjore.
Provat me të cilat Prokuroria e mbështet akuzën e saj janë dëshmitë e zyrtarëve policorë të lënduar, dëshmitë edhe të dy pjesëtarëve tjerë të Policisë, ekspertiza mjekoligjore, raporti i policisë, foto-dokumentacion, CD me incizime dhe shkresa të tjera.
Çka kanë thënë të akuzuarit para Prokurorisë?
Sipas dosjes, i akuzuari Naim Bunjaku ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur duke e pranuar fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë.
Kurse të akuzuarit Veron Hasani, Egzon Azemi, Luan Hoti dhe Ardian Huli e kanë shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Kushtrim Avdimetaj para Prokurorisë e ka pranuar pjesëmarrjen e tij në protestë, por ishte shprehur shumë i sigurt se nuk e ka lënduar ndokënd, pasi kishte gjuajtur në distancë prej 15-20 metrash.
Aktakuza në këtë rast përfaqësohet nga prokurori Blerim Igrishta.
Kallxo.com e ka pyetur Gjykatën e Prishtinës se sa seanca kanë dështuar deri më tani në këtë rast penal ndaj të akuzuarve Egzon Azemi, këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe sekretar i LVV-së në Prishtinë, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Luan Hoti, Ardian Huli e Naim Bunajku, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, Gjykata nuk ka kthyer përgjigje.