Foto: KALLXO.com
Gjykimi i të akuzuarve për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, dëgjohet eksperti
Të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi më 16.09.2024 janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me akuzat e Prokurorisë.
Të pandehurit e lartcekur po akuzohen se kanë bërë këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe aktvendimin e Gjykatës së Prizrenit.
Në seancën e sotme u dëgjua eksperti Aderim Musliu.
I pyetur nga prokurori se a e kishte njoftuar Komunën e Prizrenit që është ekspert dhe e ka për obligim të dalë në vendin e ngjarjes, eksperti tha se pasi që ka marrë detyrën nga Prokuroria e Prizrenit nuk e ka parë të nevojshme ta njoftojë Komunë. “Sepse me këtë detyrë unë jam ngarkuar nga Prokuroria e jo nga Komuna”.
Prokurori e pyeti po ashtu ekspertin se përveç vlerësimit të parcelës, pronë të Komunës, në sipërfaqe prej 96 m2, a e ka vlerësuar edhe kat parcelën numër 3038-0, pronar i të cilit është V.J. në sipërfaqe prej 90 m2, e cila është këmbyer me parcelën e Komunës, pra prokurori e pyeti a e ka vlerësuar edhe parcelën e V. J.
Në përgjigjen e tij eksperti Aderim Musliu tha se ai e ka vlerësuar vetëm parcelën – subjekt vlerësimi, e cila është kërkuar nga ana e Prokurorisë. “Prandaj unë jam përmbajtur strikt kërkesës së Prokurorisë, që nënkupton se nuk kam bërë vlerësimin e parcelës” – tha ai.
Ndërsa, gjatë seancës pyetje ekspertit i parashtroi edhe mbrojtësja e të akuzuarit Shqipëron Krasniqi, avokate Nafije Muqaj.
“Pse nuk është bërë vlerësimi i kësaj paluajtshmërie (bëhet fjalë për parcelën 03036-4) edhe pas rregullimit të mexhëve?’’ – pyeti ajo.
Në këtë pyetje eksperti Musliu tha se ka vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë, prandaj edhe ekspertiza është bazuar në këtë.
Edhe kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, i parashtroi pyetje Musliut.
“Ju si ekspert i vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, sipas vendimit të prokurorit të shtetit, a keni qenë kompetent me dhënë vlerësim për vlerën e pronës që është objekt vlerësimi?’’ – pyeti gjyqtarja, kurse dëshmitari u përgjigj se ka qenë kompetent vetëm për vlerësimin e asaj që e ka dhënë në raport.
Ekspertit i parashtroi pyetje edhe anëtarja e trupit gjykues, Raima Elezi.
“Në kohën e përpilimit të kësaj ekspertize, pra në vitin 2021, a keni qenë ekspert i licencuar?” – pyeti ajo, e Aderim Musliu tha se ka qenë ekspert i licencuar.
I pyetur nga gjyqtarja Raima Elezi nëse është tani në listën e ekspertëve të cilën e posedon Këshilli Gjyqësor i Kosovës, eksperti Aderim Musliu tha se nuk është pasi që nuk u është nënshtruar procedurave të cilat janë kërkuar nga KGJK.
Gjatë seancës, i akuzuari Arben Krasniqi dhe mbrojtësi i tij, avokat Driton Shehu, patën vërejtje në deklaratën e ekspertit, duke theksuar se ai nuk është kompetent për të përfaqësuar ekspertizën para gjykatave pasi që nuk është ekspert i licencuar i KGJK-së.
Gjithashtu vërejtje patën edhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi dhe mbrojtësja e tij, avokate Nafije Muqaj, në aspektin e mosdhënies së përgjigjeve dhe sqarimit të paqartësive lidhur me raportin e përpiluar me shkrim.
Kujtojmë që sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Arben Krasniqi, ish-udhëheqës i sektorit ligjor të Komunës së Prizrenit, dhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi, ish-përfaqësues ligjor i kësaj Komune, pretendohet ta kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.
Aktakuza thotë se Shqipëron Krasniqi si përfaqësues i Komunës në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës në Prizren, nuk e kishte kundërshtuar propozimin e propozuesit V. J. për rregullimin e mezhdave kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit dhe në këtë rast ngastra kadastrale – pronë e Komunës së Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrale – pronë e propozuesit V. J., e gjitha kjo në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas të akuzuarit pas pranimit të vendimit nga Gjykata e Prizrenit të datës 30 janar 2019, bëjnë shënim zyrtar sipas të cilit nuk ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi dhe lëndën e vendosin në A/A (adacta/e kryer) dhe pas kësaj propozuesi V.J. pajiset me leje ndërtimore dhe i mundësohet ndërtimi i objektit banesor aneksi i ri.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin mund t`i gjeni në këtë LINK.