Sokol Bashota, PDK, Klinë. Foto: Atdhe Mulla

Gjykimi i Sokol Bashotës kthehet në pikën zero

Çështja penale kundër ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota, dhe ish-nënkryetarit, Enver Berisha, pritet të fillojë rishtazi në Gjykatën e Pejës.

Kjo pasi Gjykata e Apelit ka kthyer rastin e tyre në rigjykim, duke prishur kështu aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës.

Sokol Bashotës dhe Enver Berishës u vihen në barrë veprat penale për mosdeklarim të pasurisë.

Paraprakisht aktakuza i ngarkonte ish-kryetarin e ish-nënkryetarin e Komunës se Klinës edhe për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, që hyn në kapitullin e veprave penale të korrupsionit.

Por, prokurorja e rastit Sahide Gashi kishte hequr dorë nga kjo ndjekje penale për këtë vepër penale.

Gjykata e Pejës kishte dënuar ish-kryetarin e Klinës, Sokol Bashota me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1.000 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Për të njëjtën vepër penale dhe me të njëjtin dënim është dënuar edhe ish-nënkryetari i Klinës, Enver Berisha.

Sokola Bashota akuzohet për tri vepra penale të deklarimit të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMW X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë, në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.

Enver Berisha akuzohet se nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion tokën me sipërfaqe prej 5.500 metrash katrorë