Foto: KALLXO.com

Gjykimi i policit të Skenderajt për marrje ryshfeti, dëshmon kolegu i tij

Në gjykimin për shpërdorim të detyrës zyrtare të policit të stacionit policor të Skenderajt, Isa Jashari, sot ka dëshmuar N.M., koleg i të akuzuarit në stacionin policor në Drenas.

Dëshmitari tha se me të akuzuarin njihet që 10 vjet dhe e përshkroi atë si “polic të mirë”.

I pyetur për të dëmtuarën L.I., dëshmitari tha se nuk e njeh por për të kishte dëgjuar kur filloi gjykimi ndaj Isa Jasharit.

“Isa më ka tregu se një grua e ka akuzuar për diçka që s’e ka bërë. Pastaj kam kuptuar se bëhet fjalë për mitë-marrje”, tha dëshmitari.

I pyetur për dajën e të dëmtuarës, Kasem Mustafën, dhe takimin e tyre në muajin shtator të këtij viti në kafenenë “Kroni” që gjendet në Prekazin e Poshtëm, dëshmitari tha se për herë të parë këtë person e ka takuar në kafenenë e sipërpërmendur, dhe se aty pastaj ka ardhur Bedri Shala me Kasem Mustafën dhe se aty e ka kuptuar se Kasemi është daja i gruas që e ka akuzuar Isa Jasharin.

Në këtë takim në mes të Kasem Mustafës dhe tani të akuzuarit Isa Jashari në prani të N.M. dhe  Bedri Shalës ishte biseduar për punën e 110 eurove që e dëmtuara pretendon se ia ka dhënë të akuzuarit.

Në këtë bisedë, sipas dëshmitarit N.M., daja i të dëmtuarës i kishte thënë Isa Jashararit se “unë jam në gjendje me dëshmu në cilëndo gjykatë që unë kur  kam dashtë me të dhanë pare me kry punë që ti s’m’i ke marrë”.

Po ashtu në seancën e sotme janë dëgjuar edhe 2 dëshmitarë të tjerë të propozuar nga i akuzuari Isa Jashari.

Dëshmitari Rizvan Sheqiri për gjykatën deklaroi se ai ishte së bashku me të akuzuarin Isa Jashari në ditën kur Isai dhe tani e dëmtuara L.I. ishin takuar në një kafene në Fushë-Kosvë por nuk e kishte parë as njërin e as tjetrin të jepte ose merrte para.

“Se çfarë kanë biseduar nuk e di, por as s’e kam parë tu i dhanë pare as ajo këtij e as ky asaj”, tha dëshmitari.

Ndërsa dëshmitari Bedri Shala tregoi para Gjykatës se ai kishte marrë pjesë në takimin në kafenenë “Kroni” në muajin shtator ku kishin biseduar Kasem Mustafa dhe i akuzuari Isa Jashari.

Dëshmitari tregoi se në atë takim daja i të dëmtuarës kishte thënë për të dëmtuarën se nuk ishte mirë me shëndetin mendor.

“Kasemi na tha për L. se kjo ka deviju, e kemi pas te hoxhallarët e falltore. Po ashtu Kasemi ka thënë se jam në gjendje të vij deri në Hagë me daklaru se nuk e ka dhanë asni cent për këtë punë”, shtoi Bedri Shala.

Seanca e radhës është caktuar për më 16 janar 2020.

https://kallxo.com/ligji/e-demtuara-i-drejtohet-policit-te-akuzuar-ti-mi-ke-marre-edhe-10-eurot-e-fundit-qe-i-kisha/

Isa Jashari, polic në stacionin policor në Skenderaj, akuzohet nga Prokuroria  për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare.

Aktakuza thotë se i akuzuari Isa Jashari në maj të vitit 2017 ka kërkuar dhe pranuar nga e dëmtuara L.I. 110 euro në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë qëllimi i marrjes së ryshfetit ishte që personi zyrtar në këtë Gjykatë të veprojë ose të mos veprojë në pajtim më detyrat e tij zyrtare në kontestin civil në të cilin ishte e përfshirë e dëmtuara L.I. si palë e që kishte të bënte me çështjen e besimit të fëmijëve dhe se asaj i ishte premtuar se kjo çështje do të rregullohej brenda disa ditësh.