Foto: KALLXO.com

Gjykimi i policëve, shikohen CD-të me pamjet nga pika kufitare

Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj dy zyrtarëve policorë, Ismet Deva dhe Bit Shala, Gjykata e Gjakovës i njoftoi sot palët se kishte pranuar një shkresë nga Dogana e Kosovës.

Sipas kësaj shkrese, vlera e sendeve të padoganuara thuhet se është 150 euro, ndërsa Prokuroria në aktakuzën e saj thotë se vlera e dëmit që i ishte shkaktuar shtetit të Kosovës arrin shumën 564.60 euro.

Pra, sipas Doganës së Kosovës, rezulton se dëmi i shkaktuar ndaj shtetit të Kosovës është më i vogël se dëmi i përcaktuar në aktakuzën e Prokurorisë.

Dy zyrtarët policorë, Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen nga Prokuroria se kishin lejuar kalimin e dy veturave me mallra komerciale të dy personave, Bajram Gjoka dhe Muhamet Tahiri, pa regjistrimin e tyre, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në vlerën e sipërpërmendur.

Më pas, gjykimi vazhdoi me leximin e provave materiale, ku ndër to ishin edhe dy CD-të nga pika kufitare e Qafë-Prushit.

Në këtë pikë kufitare, Prokuroria pretendon se personat Bajram Gjoka dhe Muhamet Tahiri në orën 18:00 deri në ora 18:30, kanë qenë në pikën kufitare duke pritur që të kalojnë kufirin.

Mirëpo, në seancën e sotme gjatë shikimit të dy CD-ve nuk vëreheshin lëvizjet e këtyre personave.

Si rrjedhojë, prokurori Ali Uka propozoi që si dëshmitar të dëgjohet hetuesi nga Inspektorati Policor i Kosovës, Gëzim Nasufi, parashtruesi i kallëzimit penal.

Ndërsa Gjykata duke aprovuar propozimin e prokurorit caktoi datën 30 shtator për të dëgjuar dëshminë e parashtruesit të kallëzimit penal, për sqarimin e kohës së kalimit të dy personave.

Seanca e kaluar kishte dështuar si pasojë e mungesës së përfaqësuesit ligjor të Doganës së Kosovës.

Gjakovë: Policët akuzohen për 40 pako dredhëza

Në këtë rast është dëgjuar udhëheqësi i kalimit kufitar Qafë-Morinë, bashkë me dy dëshmitarë të tjerë, Bajram Gjoka dhe Muhamet Tahiri.

Gjykimi i dy policëve për 40 pako me dredhëza, dëshmitari thotë se të gjitha i kishte për nevoja të familjes

Dy zyrtarët policorë, Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen nga Prokuroria për  veprën penale të keqpërdorimit të pozitës së tyre zyrtare, duke lejuar kalimin e mallrave pa regjistrimin e tyre.

Në muajin maj, policët kishin kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë duke kërkuar që të hidhet si e pabazuar.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Ismet Deva dhe Bit Shala ishin deklaruar të pafajshëm në Gjykatën e  Gjakovës.

https://kallxo.com/gjakove-policet-akuzohen-per-40-pako-dredheza/

Zyrtarët doganorë, Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen se në pikën kufitare Qafë-Prush, rreth orës 20:20, duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare kanë lejuar hyrjen e mallrave komerciale, duke i shkaktuar dëm material Kosovës në vlerë 564.60 euro.

Prokuroria thotë se këto veprime kanë ndodhur në prill të vitit 2018.

Sipas aktakuzës, dy zyrtarët policorë kishin lejuar që dy veturat e personave Bajram Gjoka dhe Muhamet Tahiri, të ngarkuara me mallra komerciale të hynin në territorin e Kosovës, duke mos i regjistruar ato në sistemin SIMS.

Në aktakuzë thuhet se veturën e parë të ngarkuar me perime, fruta të ndryshme e fidane të vogla, e drejtonte Muhamet Tahiri, ndërsa veturën e dytë, e cila kishte 40 kuti me dredhëza, e drejtonte Bajram Gjoka.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në atë kohë dhe në atë pikë kalimi kufitar nuk kishte oficerë doganorë si kompetentë për të vlerësuar dhe lejuar hyrjen e mallrave.

Mirëpo këto mallra janë lejuar që të hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës duke i shkaktuar shtetit të Kosovës dëm material në shumën prej 564.60 euro.