Foto: Kallxo.com

Gjykimi i Pal Lekajt: Drejtori pretendon se nënshkrimi në tender i është falsifikuar

Sot, në gjykimin e Pal Lekajt dhe tre të tjerëve, dëshmoi hetuesi i ATK-së dhe dy ekspertët financiarë.

Ish-kryetari i komunës së Gjakovës, tash ministër në largim i Infrastrukturës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e drejtorisë për bujqësi Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Hetuesi i ATK-së, Haki Gashi, tregoi se shuma e shmangies së tatimit nga i akuzuari Veli Hajdaraga është mbi 35 mijë euro.

Ai tregoi se gjatë përpilimit të raportit është marrë në pyetje i akuzuari Veli Hajdaraga për biznesin e tij, xhirollogaritë, marrjen e kredive, blerjen e tokave dhe shitjen e tyre.

“Vlera e shmangies nga tatimi është 35,550.00 euro dhe se raportin e kem përpiluar në bazë të një hetimi që është bërë për biznesin “Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, ku të dhënat janë marrë në llogarinë bankare, deponimet bankare, shitja e dy pronave Leonard Bakalli dhe Raze Salihi si dhe deponimet tjera të cilat nuk kanë qenë të shënuara në libra të regjistruar”, deklaroi Haki Gashi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Veli Hajdaraga, avokati Agim Muhaxhiri, kishte vërejtje në ekspertizën e realizuar nga ana e gjykatës, ndërsa vet i akuzuari Veli Hajdaraga i tha gjykatës se në këtë rast është i dëmtuar, me arsyetimin se deklaratat e tij të dhëna në ATK nuk përputhen me deklarimet e ekspertit.

Më pas, eksperti financiar Gani Gashi tregoi se ekspertizën e ka përpiluar në bazë të dokumenteve në shkresat e lëndës, në bazë të deklarimeve të të pandehurit, urdhëresës së gjykatës dhe në bazë të përvojës së kolegëve të tij.

Ai tha se në periudhën kur ai ishte caktuar si ekspert, pozita e të akuzuarit Gani Rama ka qenë pozita e zyrtarit administrativ të komunës.

Foto: Kallxo.com

“I akuzuari Gani Rama ka pasur për detyrë të plotësojë urdhër obligimin për pagesë me shënimet e nevojshme që jep edhe nënshkrimin e tij. Me vet faktin se Rama ka marrë kërkesë me shkrim për plotësimin e atij dokumenti nuk nënkupton që diçka nuk është në rregull, sepse mbajtësi i buxhetit shfrytëzimin e buxhetit të vet e diskuton me kryetarin dhe bordin e drejtorëve”, deklaroi eksperti Gani Gashi.

Ai shtoi se i akuzuari Gani Rama ka pasur informacion gjatë alokimit të mjeteve dhe se është dashur të sigurohet se dokumenti është ligjërisht i vlefshëm, por nuk ka qenë detyrë e tij dalja ne teren.

Prokurori Atdhe Demaj e pyeti ekspertin nëse është dashur i akuzuari Gani Rama ta vërtetojë bazën ligjore për alokimin e mjeteve.

“Zotri Gani Rama urdhrat i merr nga zyrtari i autorizuar ose nga bordi i drejtorëve, e sa i përket alokimit deri më tash me Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe rregulloreve të brendshme bëhen çdo tre muaj, por në raste të veçanta kur janë në pyetje mjetet vetanake, ato mjete derdhen në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, të cilat më pastaj me kërkesë të menaxhmentit alokohen në kategori të caktuara ekonomike”, u përgjigj eksperti financiar Gani Gashi.

Ai tha se i akuzuari Gani Rama e ka pasur për obligim të shikojë se a ka pasur procedurë të prokurimit publik firma “Union-VL” dhe nëse e ka pasur atëherë pse nuk e ka ushtruar.

Eksperti financiar Gani Gashi tha se kishte pasur dyshimet e tij se fillimisht janë kryer punët e terenit dhe pastaj është rregulluar dokumentacioni, por këtë dyshim të tijin nuk ka mundur ta vërtetojë.

Ai tha se Gani Rama i ka kryer të gjitha obligimet e punës, por nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes, e cila është vërtetuar me raportin e auditimit dhe me ndryshimin e ligjit mbi kontrollin e brendshëm të financave publike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrec Dodaj, pyeti ekspertin se a ka mundur Gani Rama që t’i kryejë i vetëm detyrat e tij të përcaktuara me ligj dhe për punët tjera të thotë ‘s’du me i kry’?!

“Pasi që kryetari i komunës ka të drejtë ta autorizojë dikë tjetër, atëherë nuk mund të ndodh që detyrat të mos kryhen. Sipas shkresave të lëndës, nuk ka arsye për ndaljen e atyre mjeteve sepse të gjitha procedurat paraprake kanë qenë të kryera, pra nuk ka pasur arsye që pagesat të mos ekzekutohen”, tha eksperti financiar.

Foto: Kallxo.com

Ai tha se në atë periudhë ka qenë një konfliktim i pozitave në mes të drejtorit për buxhet dhe për financa dhe zyrtarit kryesor financiar si staf civil, por edhe sot e kësaj dite janë këto dilema.

Pastaj eksperti tjetër financiar Riza Blakaj tregoi se kishte bërë plotësimin e ekspertizës, e cila i referohet gjendjes së shmangies tatimore të “Union-VL”.

Eksperti Riza Blakaj tha se nuk ka konstatuar që të jetë dëmtuar buxheti i komunës së Gjakovës.

“Sa i përket subvencioneve sipas ekspertizës nuk është vërtetuar të jetë realizuar dhënia ose përfitimi personal nga i akuzuari Pal Lekaj apo nga personat tjerë të ndërlidhur”, tha ai.

Ai tha se vlera e subvencioneve kontestuese është në vlerë prej 1 mijë e 998 euro, të cilën vlerë vendos gjykata nëse e vlerëson ose jo.

Riza Blakaj tregoi se kishin qenë 15 dëshmitarë që kanë deklaruar që nuk kanë pranuar fare subvencione dhe se shuma e shmangies nga tatimi nga Veli Hajdaraga duhet të jetë mbi 24 mijë euro.

“Me raportin final të hetuesit për ndërtimin e villës së zotit Gjini janë paguar mbi 24 mije euro dhe në pagesë është shiku edhe TVSH-ja, pra brenda saj është edhe TVSH-ja. Këtë unë e kam aplikuar ndërsa me raport hetues nuk është pranuar TVSH-ja që është brenda, e këtu qëndron diferenca e bazës për përllogaritjen e TVSH-së shtesë, e si rezultat i kësaj ka rezultuar shuma e ngarkesës prej 548.39 euro”- deklaroi eksperti financiar Riza Blakaj.

Ndërsa avokati i Pal Lekajt, Arianit Koci e pyeti Riza Blakajn nëse është e saktë se drejtoria e bujqësisë ka bërë kërkesë për subvencionim, gjë të cilën dëshmitari e konfirmoi.

Në vazhdim, Koci pyeti nëse është e saktë se zyra ligjore e nxjerr vendimin e bordit në këtë procedurë të subvencionimit, dhe a ka pasur nevojë për procedurë të prokurimit. Blakaj u përgjigj se zyra ligjore duhet ta përpilojë vendimin, ndërsa për procedurë të prokurorimit nuk ka pasur nevojë.

“A është e saktë se kryetari i komunës nga momenti i nënshkrimeve të vendimeve nga aspekti formal shkëputet nga rrjedha e tyre, për shkak se te gjitha përgjegjësitë për zbatimin e vendimeve ua deleglm zyrtarëve përkatës?”, ishte pyetja e radhës e Arianit Kocit.

“Në ekspertizë e kam cekur dhe qëndroj prapa saj”, u përgjigj Riza Blakaj.

I akuzuari Ismet Isufi tha se si drejtor i bujqësisë kishte bërë kërkesë për realizimin e subvencioneve dhe të njëjtën ditë ishte zgjedhur firma, edhe nga dokumentacioni i arkivit figuron se fituesi i tenderit është firma “Union-VL” dhe aty nuk kishte qenë nënshkrimi i tij dhe se ai nënshkrim ishte i falsifikuar.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga tha se nuk ka pasur si ta dorëzojë dokumentacion përderisa i njëjti është konfiskuar nga shteti.

Në seancat e radhës të caktuara për 16, 17 dhe 18 dhjetor do të dëgjohen nga 10 dëshmitarë çdo ditë.

Ish-kryetari i komunës se Gjakovës tash ministër në largim i Infrastrukturës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e drejtorisë për bujqësi Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangje nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Dje ishte dhënë fjala hyrëse e palëve në procedurë.

Ish-zyrtari komunës së Gjakovës po gjykohet për 218 mijë euro

Para dy javësh ky gjykim ishte shtyrë me kërkesë të prokurorit Atdhe Demaj.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Në këtë rast po akuzohet Pal Lekaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për kohën sa ka qenë kryetar i komunës së Gjakovës.

Ish-kryetari i komunës së Gjakovës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohet bashkë me Ismet Isufin dhe Gani Ramën, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangje nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Trupi gjykues i këtij rasti përbëhet nga kryetari Shaqir Zika i ndihmuar nga anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Kujtojmë se lënda e Gani Ramës ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të akuzuarve të tjerë, pas propozimit të prokurorit Atdhe Dema për bashkimin e lëndëve.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrur Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikmëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezentuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Caktohet dita e gjykimit të Pal Lekajt

Ndërsa, Gani Rama po akuzohet për 218 mijë euro, lidhur me shpërndarjen e subvencioneve.

Ish-zyrtari komunës së Gjakovës po gjykohet për 218 mijë euro

Bëhet e ditur që rasti i Gani Ramës, është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, pasi që gjykata e Gjakovës, Gani Ramen e kishte liruar nga akuza e Prokurorisë, për shkak se nuk ishte vërtetuar se i akuzuari kishte kryer vepër penale.

Lirohet nga Akuza Gani Rama, Zyrtar i Komunës së Gjakovës

Aktakuzën ndaj të akuzuarve, e ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Prokuroria Speciale po e akuzon Ramen se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat

Shuma e keqpërdorur nga i akuzuari Rama është 218.956.67 euro- thuhet në aktakuzë.