Gjykimi i luftëtarit të UÇK-së për krime lufte, dëshmitarët rrëfejnë se çfarë pozite ushtarake ka pasur i akuzuari

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Remzi Shala, i akuzuar për krime lufte, është ballafaquar në Gjykatën e Prizrenit me deklaratat e dëshmitarëve.

Remzi Shala akuzohet se në qershor të vitit 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij – Duhël të Suharekës.

Gjatë së premtes, dëshmitari Ferat Përteshi qëndroi në tërësi si në deklaratën e dhënë në vitin 2018.

I njëjti mohoi të ketë dijeni se “Molla e Kuqe” ka qenë ushtar apo komandant.

“Kam dëgjuar vetëm si pseudonim “Molla e Kuqe” por nuk kam dëgjuar se çfarë roli ka pas”- deklaroi dëshmitari.

Ferat Përteshi tutje rrëfeu se nuk i kujtohej nëse “Molla e Kuqe” apo ndonjë person tjetër kishte shkuar në pikën e Grajqefcit.

I pyetur se a kishte dijeni nëse Haxhi Përteshi ishte gjallë apo i vdekur kur kishte dëgjuar për personin me nofkën “Molla e Kuqe”, dëshmitari tha se nuk i kujtohej kjo rrethanë.

“Unë po e tregoj realitetin nuk më kujtohet a ka qenë gjallë Haxhi Përteshi apo i vdekur në kohën kur janë dëgjuar për pseudonimin Molla e Kuqe”.

Gjykimi më tej vazhdoi me deklarimin e dëshmitarit Shaban Shukolli.

Shukolli para trupit gjykues rrëfeu se kishte marrë pjesë në mledhjen e fshatit të mbajtur në odën e Rifat Qatanit në fshatin Duhël.

Ai argumentoi se në atë mbledhje kanë qenë shumë persona ku konfirmoi praninë e Bajram Qatanit.

“Në vendin e mysafirëve ka qenë i ulur Bajram Qatani”- tha dëshmitari.

Shukolli pohoi se aty po ashtu dy persona kanë qenë të veshur me uniformë.

“Më kujtohet se në atë odë kanë qenë të veshur me uniformë 1-2 persona, por nuk i kam njohur ata”- tha dëshmitari.

Në mungesë të dëshmitarit Nezir Përteshi, seanca e sotme u ndërpre, ajo e radhës u caktua për datën 5 shtator 2022.

Ndërkaq, për dëshmitarin e lartcekur u lëshua urdhëresa për sjellje me dhunë.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë, Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”- thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu:

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK