Foto: KALLXO.com

Gjykimi i kontabilistit, dëshmitari: I akuzuari kishte marrë 25 mijë euro

Në seancën e gjykimit të Sërbolub Dimitrijeviqit sot u dëgjua dëshmia e Sllavolub Mandiqit, drejtor i firmave “Auto Moto Remont“ dhe “Auto Moto Drushtvo“, të cilat funksionojnë në kuadër të sistemit të Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë dëshmisë së tij, Mandiq ka treguar se i pandehuri Dimitrijeviq, në atë kohë shef i kontabilitetit, sipas tij kishte marrë nga kompania 25 mijë euro.

Tutje dëshmitari ka treguar se kjo kompani ka operuar pozitivisht dhe kishte 30 punëtorë, derisa në vitin 2016 kishte verejtur se nuk ka të holla të mjaftueshme për pagesën e punëtorëve.

Kurse pas një mbledhjeje që kishin mbajtur me punëtorët kishin konstatuar se dikush kishte marrë para në shumën prej 25 mijë euro, e që sipas dëshmitarit këto i kishte marrë tani i akuzuari Dimitrijeviq.

“Kemi mbajtur mbledhje me punëtorët dhe kemi vërtetuar që dikush po na vjedh. E kam formuar komisionin për tërë vitin 2015 dhe kemi vërtetuar që mungojnë 25.000 euro… Me kërkesën time që i akuzuari t’i kthejë mjetet, të hollat, ky këtë e ka bërë më 17.02.2016, i ka sjell dhe i kemi marrë 20 mijë euro, dhe e ka pranuar se këto të holla i ka marrë“, tha dëshmitari.

Kurse më vonë dëshmitari Mandiq tha të kishin formuar një komision me punëtorët Dragisha Stefanoviq, Milana Milkoviq dhe Sllavisha Joksimoviq, të cilët kur kishin filluar që të punojnë ishin kundërshtuar nga i akuzuari, i cili u kishte thënë: “Kush jeni ju që të më kontrolloni mua punën”.

Ndërsa më vonë kishin vërtetuar se mungon komplet dokumentacioni lidhur me financat për vitin 2008 për “Auto Moto Drushto“ dhe për vitin 2009 për “Auto Moto Remont”, të cilin dokumentacion, sipas dëshmitarit, e kishte marrë me vete i pandehuri.

Dëshmitari Mandiq po ashtu ka shtuar se kishin ftuar revizorin e autorizuar që ta bënte kontrollin i cili, sipas tij ka vërtetuar saktësisht gjendjen pa atë pjesë të dokumentacionit të zhdukur dhe shuma reale të cilën e ka gjetur ishte mbi 300 mijë euro.

Kurse shumën prej 20 mijë euro dëshmitari ka thënë së e kishte kthyer i pandehuri.

Ndërsa i pyetur nga prokurori Njazi Rexha se a e dinte nga i ka marrë ato para ai për t’i kthyer, dëshmitari tha se ato i kishte marrë nga po të njëjtat para të cilat sipas tij, i kishte marrë nga kompania.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmia e dëshmitares Milana Milkoviq dhe Sllavisha Joksimoviq por këta dëshmitarë paraprakisht ishin liruar nga trupi gjykues, për shkak se nuk ka premtuar koha për dëgjimin e tyre.

Ndryshe Prokuroria e Mitrovicës akuzon Sërbolub Dimitrijeviqin se nga janari 2005 deri në dhjetor 2015 në cilësinë e shefit të kontabilitetit në firmat “Auto moto drushtvo“ dhe “Auto moto Remont“ në Mitrovicë, e cila është regjistruar së pari në UNMIK, e pastaj është regjistruar edhe te Agjencia për regjistrimin e bizneseve  e Kosovës si “Auto moto drushtvo“ Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar të hollat që janë besuar në bazë të detyrës.

Sipas akuzës, i njejti duke mos regjistruar të hollat në evidencat e kontabilitetit, kthimin e akontacioneve (paradhënie të punëtorëve), duke tërhequr para kesh nga banka dhe të njëjtat nuk janë regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit parat e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, ka përvetësuar të holla në shumë prej 273.107.39 euro.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale përvetësimi në detyrë.

Ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet më 6 nëntor në Gjykatën e Mitrovicës.