
Gjykimi i Kadri Veselit në Hagë, u dëgjuan 110 dëshmitarë
Më 05.11.2020, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ishte marrë për t`u dërguar në Hagë, ku do të përballej me një gjykim pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Veseli është pjesë e grupit që përbëhet edhe nga ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kundër të cilëve Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte ngritur aktakuzë.
Paraqitja e parë e Kadri Veselit në Gjykatën Speciale u bë më 10.11.2020.
Veseli kundërshtoi në tërësi akuzat që Prokuroria i vë në barrë.
Që nga ajo kohë, Veseli është në paraburgim pasi Prokuroria në vazhdimësi ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit duke refuzuar kërkesat e mbrojtjes për lirim të tij.
Përkundër faktit që Veseli vazhdon të mbetet në paraburgim, në “TikTok” në vazhdimësi janë publikuar video që pretendojnë se Veseli është liruar apo se do të lirohet brenda vitit 2024 (shih këtu, këtu dhe këtu).
Historia e gjykimit
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit (Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi) u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar, të dorëzuar më 29.04.2022.
Deri më 16.12.2024 janë dëgjuar rreth 110 dëshmitarë të Prokurorisë që nga fillimi i administrimit të provave personale.
Sipas përgjigjes së Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe 43 dëshmitarë të Prokurorisë pritet të dëgjohen, pastaj do të merren propozimet nga ana e mbrojtjes nëse ka për të thirrur ndonjë dëshmitar për të dëshmuar.
Më 23.03.2023 në një konferencë për media, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik e Gjykatës Speciale, diskutoi aspekte të ndryshme lidhur me zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, duke konfirmuar se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 01.04.2025.
Sipas të dhënave që gjenden në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, deri më tani janë mbajtur 182 ditë gjykimi.
Pra, që nga fillimi i gjykimit në vitin 2020, sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara janë mbajtur 210 seanca gjyqësore.
Veseli gjendet në paraburgim që nga nëntori i viti 2020.
Pra, që nga arrestimi i tyre, janë marrë 19 vendime që kanë të bëjnë me vendimin për paraburgim.
Këto vendime për paraburgim kanë kohëzgjatjen prej 2 muajsh.
Kadri Veseli mund të lirohet nga masa e paraburgimit në rast se Prokuroria nuk paraqet kërkesë për t`i vazhduar paraburgimin ose në rast se Gjykata nuk i sheh të arsyeshme pretendimet e Prokurorisë për t`ia vazhduar paraburgimin ose në rast se mbrojtja paraqet kërkesë për t’iu ndryshuar masa të mbrojturit të tij.
“Pas ngritjes së aktakuzës dhe deri në shpallje të aktgjykimit apo seancën për caktimin e dënimit, nëse ka të tillë, paraburgimi mund të caktohet, vazhdohet ose të hiqet vetëm me aktvendim të gjyqtarit të vetëm gjykues, kryetarit të trupit gjykues ose trupit gjykues në seancë. Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues së pari dëgjon mendimin e prokurorit të shtetit dhe mendimin e të pandehurit ose mbrojtësit. Kundër aktvendimit palët kanë të drejtë ankese. Neni 186, paragrafët 3 dhe 4 të këtij Kodi zbatohen përshtatshmërisht”- thuhet në nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale.
Veseli mund të lirohet nga paraburgimi në rast se pushojnë shkaqet për ndikim në dëshmitarë ose në zhdukje të provave, nëse nuk paraqitet rreziku për të përsëritur veprën penale apo duke u bazuar në rëndësinë e veprës penale. Por, lirimi nga paraburgimi nuk nënkupton që Kadri Veseli ka aktgjykim lirues nga ndjekja penale. Paraburgimi është vetëm masë për ta siguruar prezencën e të akuzuarit në procedurë penale.
“Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se: ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale, kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij, kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryejë.”- thuhet në nenin 184 të Kodit të Procedurës Penale që flet për paraburgim.
Ndaj Veselit dhe të bashkakuzuarve Gjykata vjen në shpallje të aktgjykimit pasi të kalojnë disa prej fazave të procedurës penale.
Së pari, meqë rasti i Veselit dhe të tjerëve gjendet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve, duhet të përfundohet kjo fazë, të vazhdohet me administrimin e provave materiale, tutje të japin mbrojtjen të akuzuarit, në procesin e fundit jepen fjalët përfundimtare dhe vetëm tri ditë pasi të jepen fjalët përfundimtare bëhet shpallja e aktgjykimit.
“Pasi Gjykata merr aktgjykimin, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues e shpallë menjëherë. Kur Gjykata nuk ka mundësi që në të njëjtën ditë pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor ose të seancës për caktimin e dënimit të merrë aktgjykimin, shpalljen e aktgjykimit e shtyn më së shumti tri (3) ditë dhe e cakton kohën dhe vendin e shpalljes së aktgjykimit”- thuhet në nenin 365 të Kodit të Procedurës Penale.
Aktakuza
Sipas kësaj aktakuze, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith, i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërsië. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë, në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë net rresht ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.
Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.
Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.
Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe “qendrën e paraburgimit” në Kleçkë.
Në këtë lokacion sipas Prokurorit të Specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Një tjetër person sipas aktakuzës kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura sipas Prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.