Foto: Kallxo.com

Gjykimi i ish-shefave të PTK-së: Dëshmitarët flasin në gjykatë për numrat për Z-Mobile

Në Gjykatën e Prishtinës po gjykohen dy ish-kryeshefat e PTK Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi si dhe ish-kryetari i bordit të Telekomit Rexhë Gjonbalaj, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjatë seancës së sotme ishte paraparë të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga prokuroria Arben Shabani, Valbona Tahiri dhe Valon Basha.

Meqë mungonte dëshmitari Valon Basha, gjatë seancës së sotme u dëgjuan Arben Shabani i cili mban pozitën e këshilltarit të kryeshefit në PTK si dhe Valbona Tahiri, menaxhere për çështje ligjore të rregullatorit në Telekomin e Kosovës për ndërlidhje me ARKEP-in.

Pyetur nga prokurori i rastit, Naim Abazi, se a ka njohuri për marrëveshjen që e ka lidhur PTK me “Dardafon” LLC, dëshmitarja Valbona Tahiri tha se ka njohuri vetëm për disa pjesë të saj mirëpo nuk ka qenë pjesë e ekipit të negocimit apo përpilimit të marrëveshjes.

Ndërsa lidhur me pyetjen se kush nuk i ka përmbushur obligimet, PTK po “Dardafon” LLC, dëshmitarja deklaroi se nuk e di dhe nuk është kompetente për të vlerësuar nëse është respektuar kontrata në mes të këtyre dyjave apo jo.

Ndonëse prokuroria pretendon se vendimi 381 i ARKEP-it nuk është respektuar, dëshmitarja Tahiri tha se ai vendim është respektuar. Tahiri tha se sipas mendimit të saj “është keqkuptuar nga një pjesë e madhe që nuk është zbatuar vendimi për arsye se vendimi 381 ka të bëjë me rezervimin e bllokut të numeracionit 045 7** *** dhe Telekomi i Kosovës në bazë të atij vendimi e ka bërë rezervimin e atij blloku të numeracionit.”

Pyetur nga prokurori i rastit pse është kontestuar nga ana e PTK-së, ajo tha se “është kontestuar nga ana e Telekomit për arsyeje se vendimi në fjalë ka qenë pak konfuz”.

Ajo tha se pika 1 e vendimit ka përcaktuar të bëhet rezervimi i atij bllokut, mirëpo në arsyetim “ka lënë hapësirë që të kuptohet edhe si ndarje”.

“Rezervim nënkupton detyrim për tërheqjen dhe promovim nga shitja e numrave për përdorim nga përdoruesit fundorë. Ndërsa ndarja ose alokimi nënkupton dhënien e atyre serive numerike operative” deklaroi dëshmitarja.

Më tej ajo shtoi se PTK nuk i ka ndarë por vetëm i ka rezervuar ata numra.

Për Gjykatën dëshmi dha edhe Arben Shabani i cili pyetur nga prokurori se kush ka qenë përgjegjës për implementimin e kësaj kontrate, tha se “në kuptimin operativ është çështje e nivelit më të ultë, por sa i përket strategjisë, që unë mendoj se edhe vet kontrata ka qenë pjesë e strategjisë, i takon bordit të drejtorëve, kryeshefit ekzekutiv dhe menaxhmentit, nuk e kisha shmangur asnjërin nga këta”.

“Por unë mendoj prapë se kjo kontratë për hir të karakterit strategjik që ka pasur është dashtë të monitorohet, përcillet nga Bordi dhe vet aksionari madje është mirë me cekë që kompanitë publike raportojnë në baza periodike te vet aksionari dhe jam i sigurt që edhe aksionari ka qenë i njoftuar rreth gjendjes së kësaj kontrate”, tha dëshmitari Shabani.

Lidhur me shërbimet 3G, 4G, sipas tij arsyeja pse nuk janë dhënë këto shërbime është se ky ka qenë qëndrim kolektiv i Telekomit pasi që këto shërbime nuk janë të cekura apo të specifikuara në kontratën bazë.

“Madje edhe në vet kontratë asnjëherë nuk është përmendur fjala shërbimet 3G, 4G. Tutje, Telekomi në mënyrë decidive nuk ka qenë për të mos i dhënë këto shërbime por pa një anex shtesë siç e parasheh edhe kontrata bazë të mos i jepen me automatizëm. Vet fakti që janë mbajtur takime rreth kësaj teme, nuk mund të themi se kanë qenë refuzues nga ana e Telekomit”, tha ai.

Ndër tjera, dëshmitari tha se Telekomi kishte pranuar një letër nga Monako që të bëhet kujdes ndaj numrave të Z-Mobile. Sipas tij, këtu kishte filluar një “ngrirje e raporteve” ndonëse në parim kontrata kishte vazhduar pa ndonjë problem.

“Telekomi ka besuar fuqishëm se ky arbitër do të jetë në favor të Telekomit”, tha ai duke sqaruar se kanë qenë të bindur se do të fitojnë kontestin para arbitrazhit.

Pyetje për dëshmitarin kishte edhe i akuzuari Rexhë Gjonbalaj i cili e pyeti atë se a i di kompetencat e bordit në bazë të ligjit për ndërmarrje publike dhe shoqëri tregtare, të cilën dëshmitari e pohoi dhe më vonë numëroi edhe disa nga kompetencat.

Dëshmitari Shabani tha se sipas mendimin të tij personal “është dashtë me u dhënë shërbimet dhe pastaj me ju drejtuar Gjykatës kompetente”.

“Sikur të veprohej në këtë mënyrë nuk do të kishte dëm apo dëmi do të ishte më i vogël”, tha ai.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimi, si kryeshef ekzekutiv i PTK-së, gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa, ish-kryeshef ekzekutiv i Telekomit, nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri më 24.05.2017, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Aktakzua thotë se me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

Blerim Devolli, pronar i kopanisë Z-Mobile, para Gjykatës kishte rrëfyer për takimet e tij me ish-krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Ejup Qerim

KALLXO.com kishte raportuar që Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës së Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

KALLXO.com mësoi se Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës së shkallës së parë.

Më 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barrë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurorja speciale Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) kishin arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të Arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi ishte paraqitur si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016 Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.