Gjykimi i ish-policëve - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-policëve, disa prej tyre pranojnë të negociojnë pranimin e fajësisë

Në rastin ku të akuzuar për marrje të ryshfetit janë 14 tashmë ish-zyrtarë policorë të Njësisë së Trafikut, Prokuroria ka kërkuar që të shtyhet seanca e gjykimit me arsyetimin se disa nga të akuzuarit kanë pranuar të negociojnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Me fillimin e seancës kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti ka njoftuar palët se ka pranuar një kërkesë nga prokurorja për t`i dhënë afat shtesë në mënyrë që të negociojnë marrëveshje për pranimin e fajësisë me disa prej të pandehurve.

Duke mos përmendur emrat e të akuzuarve të mundshëm si pjesë e negocimit të kësaj marrëveshjeje, prokurorja Zejnije Kela ka deklaruar se i nevojitet një afat kohor për të negociuar me të pandehurit për të arritur marrëveshje eventuale.

“Kërkoj të më jepet një afat që të negociojmë lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë për disa për të akuzuarit. Kodi lejon një afat së paku 3 muaj. Në këtë rast ne kërkojmë që Gjykata të na lejojë një afat afërsisht një muaj, si një afat ku do të negociojmë marrëveshjen për pranimin e fajësisë me të akuzuarit të cilët shprehin një interes të tillë dhe shpresoj që brenda këtij afati ne të ju njoftojmë për rezultatin e negociatave“, tha prokurorja Kela.

Ky propozim i prokurores Kela është aprovuar nga Gjykata, duke i dhënë 40 ditë afat për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Ndërsa brenda këtij afati ligjor edhe gjyqësor Prokuroria obligohet ta njoftojë Gjykatën me rrjedhën e negociatave e nëse eventualisht ka marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Në këtë seancë mbrojtësi i të pandehurit Rushit Hoti, avokati Visar Rrecaj, ka propozuar që të merret vendim lidhur me propozimin për shpalljen si prova të papranueshme provat e siguruara me masa të fshehta.

Propozimi i avokatit Rrecaj është refuzuar nga trupi gjykues, ndërsa  gjykatësi Mehemti ka deklaruar se provat e siguruara përmes masave të fshehta janë bërë sipas urdhrit të Gjykatës dhe si të tilla janë në përputhje me ligjin.

“Kjo Gjykatë më 16 prill 2018, ka dhënë një vendim  ku ka thënë se këto prova janë siguruar në përputhje të plotë me ligjin –KPPRK-në, të cilin vendim e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit, detaje lidhur ma arsyet tjera do të jepen në aktgjykim përfundimtar”, ka thënë Mehmeti.

Pas kësaj seanca është shtyrë, kurse seanca të radhës janë caktuar për datat 10, 21 dhe 26 shkurt 2020.

14 ish-zyrtarët policorë Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zekir Shala tani të akuzuar, përveç të pandehurit Destan Rrecaj ndaj të cilit është hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas se cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35  policë të atëhershëm për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com.

Të gjithë të akuzuarëve tani ish -policëve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mos shqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se kanë përfituar për xhepin e tyre dhe i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës.