Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-oficerit të burgut, aprovohet propozimi i mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarëve

Gjykata e Prizrenit të enjten ka aprovuar propozimin e mbrojtjes që në seancën e radhës të dëshmojnë dy dëshmitarë në gjykimin ndaj Bajram Rexhajt.

Ish – oficeri i burgut Bajram Rexhaj po akuzohet se ka pranuar 50 euro ryshfet për të futur në Qendrën e Paraburgimit numër telefoni, kartela mbushëse telefonike dhe një parfum.

Në shqyrtimin e sotëm Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të ftohet simuluesi-zyrtari policor Avdyl Sekiraqa, dëshmitarët Edin Morina dhe personi me emrin Murati.

Propozimin e dëshmitarëve Berisha e ka arsyetuar me faktin se simulimi i veprës nuk ka qenë në përshtatshmëri ligjore dhe se veprimet e kolegëve të tij nuk përbënin një hetim.

“Do të provohet se veprimet e Bajram Rexhajt përveç ato që ishin rezultat i nxitjes dhe shtytjes çdo veprim tjetër mund të cilësohet si i pahijshëm por asesi nuk përmban krim që sanksionohet me normën ligjore të paraqitur në dispozitivin e aktakuzës”- tha mes tjerash avokati Besnik Berisha.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi. Gashi ka shtuar se zyrtarët policor e kanë kryer punën ashtu siç është paraparë në urdhëresë.

Pas kësaj Gjykata aprovoi propozimin e mbrojtësit Besnik Berisha që të dëgjohen dëshmitarët e lartcekur.

Fillimisht në këtë seancë është dhënë fjala hyrëse nga palët.

Prokurorja Ervehe Gashi ka deklaruar se nga provat e propozuara, nga bisedat telefonike dhe nga aplikimi i simulimit të veprës penale do të rezultojë se i akuzuari ka pranuar shumën prej 50 euro me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në paraburgim.

Në anën tjetër, Besinik Berisha ka pretenduar se urdhëresat e Gjykatës dhe provat e siguruara nga simulimi janë bërë në kundërshtim dhe në shkelje të ligjit.

“Do të provohet se nuk do të ndodhte as në ditën kritike ashtu siç parashtron prokuroria, po të mos ishte nxitja e zyrtarit policor për ta quar deri në fund kurthin e nisur së paku katër ditë më parë”- u shpreh Berisha.

Gjykimi më tej ka vijuar me leximin e provave.

Seanca e radhës për këtë rast u caktuan për më 6 prill 2023.

Sipas prokurorisë i pandehuri Bajram Rexhaj, akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personi zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Tutje akuza thotë se i pandehuri ditën kritike në pompën e derivateve “…” në hyrjen e parë të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro, me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum.

Prokuroria pretendon se sendet e ndaluara kanë qenë për një të burgosur me nofkën “Edin”.

Me këtë Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Në seancën e shqyrtimit fillestar Rexhaj u deklaruar i pafajshëm për akuzën në fjalë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.