Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, avokatët me kritika për zgjatjen e procedurës nga ana e Prokurorisë

Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit ka konsideruar se koha të cilën e kërkon prokuroria për ta paraqitur lëndën, që përfshin mbi 700 orë, tregon për një kaos në punën e prokurorisë.

Në konferencën përgatitore kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, avokati Emmerson ka thënë se gjykimi i gjatë është edhe një armik i drejtësisë dhe cenim i të drejtave të të akuzuarve.

“Ne kemi për detyrë të sigurohemi, se nëse ata bëjnë punën në mënyrën kaotike do të cenojnë drejtësinë. Në vetvete është në dëm të të akuzuarve sepse kanë dy vite që qëndrojnë në paraburgim. Sepse zgjatja është armik i drejtësisë, i të drejtave të të akuzuarve”- ka deklaruar ai.

Emmerson tutje përshkroi se kjo çështje është dy herë e gjysmë më e madhe se sa rasti Millosheviq apo e Karaxhiq.

“Aktakuza ndaj Millosheviqit, ku filloi fushata në Ballkan unë besoj që periudha e aktakuzës mbuloi 10 vjet. Prokuroria paraqiti faktet e saj, ajo mori 360 orë për ta paraqitur, kurse në rastin tonë po kërkohet dyfishi. Në rastin Millosheviq, do të duhej të ishin dashur 20 vite nëse do të vazhdonte me këtë logjikë si tani”- shtoi avokati.

Paraprkisht në këtë senacë për kohën e gjykimit prej 700 orësh reagime ka pasur edhe nga Gregory Keohe, avokat i Hashim Thaçit.

Keohe ka kërkuar që gjykimi të përfundojë “sa jemi gjallë”.

“Ne kemi në dorë mijëra faqe të materialeve, nuk e dimë çka mendon Prokuroria se është me rëndësi, por nuk na intereson asnjëri. Dua ta mbarojmë sa të jemi gjallë, mos të zgjatet pa fund”- u shpreh avokati.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 10 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK