Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-drejtorit të NLB Bankës për përvetësimin e mbi 305 mijë eurove, dëshmon eksperti financiar

Eksperti financiar, Xhevdet Krasniqi, ka dëshmuar sot në gjykimin e drejtorit të NLB Bankës, Ismail Rudari, i cili po akuzohet se ka përvetësuar 305 mijë e 420 euro si dhe për lidhje të kontratave fiktive për huamarrje me disa kompani private.

Dëshmitari Krasniqi ka shpjeguar ekspertizën financiare të përpiluar nga ai.

Ai tregoi se gjendja e obligimeve të huamarrësve është e njëjtë si në ekspertizën e parë. Kjo, sipas tij, do të thotë se klientët kanë marrë hua në tërësi në këste të ndryshme sipas pasqyrimit të këtij plotësim-ekspertize.

“Është vërtetuar se kreditë ishin afatshkurta, në afat prej 1 viti dhe si të tilla nuk ka pasur nevojë të hartohet plani për kthimin e kredisë”, tha eksperti.

Xhevdet Krasniqi shtoi se  për kreditë e tilla shuma që merret duhet të kthehet brenda 1 viti.

Ai shpjegoi edhe pjesën e paguar dhe të  papaguar të shumës prej 305 mijë euro.

“Kështu që klientët kanë arritur pjesërisht t’i kthejnë huat e marra në shumë prej 132,831.10 euro, e që është 38 % e shumës totale të kredive të marra”, tha dëshmitari Krasniqi.

Eksperti financiar deklaroi se kanë ngelur  pa u kthyer 217,768.9 euro të kredisë apo 62 % e kredisë totale.

Ai gjithashtu tregoi se derdhja e mjeteve  të huas është bërë në xhirollogaritë e klientëve dhe kjo është vërtetuar  përmes transaksioneve bankare.

I pyetur nga Gjykata se a është bërë ndonjë transaksion në apo nga llogaria e të akuzuarit dhe të huamarrësve, eksperti Krasniqi tha se nuk ka ndodhur ndonjë transaksion i tillë.

Tutje eksperti për Gjykatën shpjegoi procedurën e marrjes së kredisë për vitet 2003-2005.

Në bazë të dispozitave ligjore të atëhershme të bankës, klientët që kanë pasur hua nga banka është dashtë të parashtrojnë kërkesë dhe banka ka kërkuar sigurimin e  dokumenteve të nevojshme e veçmas sigurimin e kolateralit, hipotekave, në momentin kur vlerëson vlerën e kredisë.
Por pasi banka nuk ka arritur të bëjë kthimin e mjeteve nga klientët në procedurë të rregullt rezulton se dokumentet e dorëzuara kanë qenë të pamjaftueshme për inkasimin  e mjeteve sipas dispozitave ligjore të bankës.

Eksperti financiar u pyet nga Gjykata se a ka hasur në shkresat e lëndës nga të cilat e ka përpiluar ekspertizën në ndonjë kontratë për lejimin e huas të cilën e kishte nënshkruar tani i akuzuari Ismail Rudari.

Eksperti tha se ka gjetur një kontratë për subjektin “Irsija-Cos” dhe vlera e kësaj kredie ishte nën 15 mijë euro.

“Nuk kam hasur ndonjë rast që është bërë pagesa nga llogaria e klientit por në të shumtën e rasteve është vërtetuar  se huat janë kthyer në momentin kur është marrë huaja e re dhe është larë borxhi i vjetër”, shtoi ai.

Marrja në pyetje e ekspertit financiar lidhur me këtë çështje penale u ndërpre për shkak se anëtarja e trupit gjykues Violeta Namani ishte gjykatëse kujdestare dhe u vendos që seanca e sotme të vazhdojë nesër pasdite.

Sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në periudhën kohore prej 01.02.2003 në vazhdimësi deri me datën 21.11.2005, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i ekspoziturës së NLB Banka (ish-Kasabanka KSB) dega në Lipjan, Ismajl Rudari ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Rudari ka lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me kompanitë private NTPSHP “Beargo” me seli në Pejë, në vlerë prej 159,193,83 euro, NTP “Irsija-Cos”, me seli në Lipjan, në vlerë prej 8,169.04 euro, NB”Limani” me seli në Prishtinë, në vlerë prej 15,692.85 euro, NT “Xheneti”, me seli në fshatin Sllatinë e madhe-K Fushë Kosovë, në vlerë prej 91,013.69 euro, NTP “Altini Comerc” me seli në Lipjan, në shumë prej 30,747.15 euro dhe NTP “Elektro Vali” me seli në Lipjan, në vlerë prej 6,604.16 euro, me ç’rast të dëmtuarës NLB Bank Sh.a. – Prishtinë, i ka shkaktuar dëme në vlerë të përgjithshme prej 305,420.71 euro.