Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-drejtorit të Inspektoratit të Pejës për 14 objekte pa leje, i akuzuari e paralajmëron dëshmitaren për padi

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar sot procesi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të inspektoratit të Komunës së Pejës, Demë Dashi, i cili po akuzuhet se me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri më 14 nëntor 2016.

Në seancën e sotme gjyqësore për të dytën herë u dëgjua Fisnike Kelmendi, zyrtare e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në kohën sa ishin duke u zhvilluar hetimet në këtë çështje penale, Kelmendi duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë kishte përpiluar një opinion ligjor që sqaronte faktin se ekzekutimi i vendimit për rrënim të objekteve pa leje është në kompetencën e drejtorit të Inspektoratit.

Fillimisht ajo deklaroi se opinionet ligjore të lëshuara nga Ministria përkatëse bëhen me kërkesën e palëve të interesuara dhe nuk kanë karakter obligativ.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Lumturie Muhaxheri kërkoi nga zyrtarja që të informojë trupin gjykues se cila dispozitë përcakton që kompetenca e ekzekutimit të vendimit mbi rrënim bie mbi Drejtorinë e Inspektoratit.

Zyrtarja tha se Ligji për Inspeksionin nuk e përcaktonte në mënyrë decidive kompetencën e ekzekutimit të vendimeve për rrënim, ku pastaj në mungesë të ligjit specifik, aplikohen dispozitat e Ligjit për Procedurën Administrative.

“Sipas nenit 84 të Ligjit 02-28 për Procedurën Administrative akti duhet të nënshkruhet nga udhëheqësi i organizatës dhe ekzekutimin e aktit administrativ e bën organi kompetent që e ka nxjerrë aktin, që i bie Drejtoria e Inspeksionit”, tha Kelmendi.

E pyetur lidhur me kompetencat e shefit të Inspektoratit, ajo deklaroi se kjo është çështje që rregullohet përmes akteve të brendshme të Komunës.

Pyetje në drejtim të zyrtares pati edhe i akuzuari Dashi.

“A ke qenë ti kompetente për me bo interpretimin e ligjit kur Komuna i ka ligjet e veta të funksionimit lokal, organogramin, dhe përshkrimin e vendeve të punës, të miratuara në Asamblenë Komunale, duke respektuar ligjet ekzistuese?”, pyeti i akuzuari zyrtaren.

Kelmendi lidhur me këtë deklaroi se Ministria ku ajo punon ka të drejtë të japë opinione ligjore në kuadër të fushëveprimtarisë së saj, andaj opinioni është lëshuar me kërkesë të Prokurorisë.

I akuzuari pyeti dëshmitaren se a është në dijeni  sa persona nënshkruhen në vendimin për rrënim dhe se a kishte parë ajo vendimin të cilën e kishte nënshkruar ai, ku dëshmitarja u deklarua se vendimin për rrënim nuk e kishte parë.

Ajo shtoi nuk e di se nga kush nënshkruhen.

Kelmendi tha se nga Drejtoria e Urbanizmit i ka rastisur të shohë vendime që nënshkruhen nga disa zyrtarë varësisht prej hierarkisë.

Dashi pati vërejtje nëdëshminë e Kelmendit, duke e paralajmëruar të njëjtën edhe për padi kundër saj.

Demë Dashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën drejtor i Drejtorisë së Inspekstoratit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri më 14 nëntor 2016.

Prokuroria e akuzon Dashin se ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumëbanesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës, ai u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm disa personave.

Seanca e radhës është caktuar për më 29 mars.