Gjykimi në rastin 'Toka'. Foto: Kallxo.com

Gjykimi i grupit të Azem Sylës: Mungon i akuzuari, urdhërohet Policia ta sjellë me forcë në gjykatë

Gjykimi ndaj ish deputetit të PDK-ës Azem Sylës dhe grupit të të akuzuarve në rastin e njohur si ‘’Toka’’ u ndërpre për disa minuta për shkak të mungesës së akuzuarit Avni Maxhuni.

Ndonëse ishte ftuar në mënyrë të rregullt, Maxhuni nuk e kishte arsyetuar mungesën në seancën e sotme.

Gjykatësi i rastit, Beqir Kalludra, lëshoi urdhëresë për Policinë që ta sjellë Maxhunin me forcë në seancë.

Në seancën e sotme mungoi edhe dëshmitari Faton Majaci i cili ishte ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Për seancën e sotme janë paraparë të dëgjohen dëshmitarët Edvard Gashi, Bademe Kelmendi, Gordana Stevic, Jedana Stevic, Habib Caka, Kujtim Bucaliu, Jeton Govori, Mexhid Syla e Dejan Lazic,

Në këtë rast gjyqësor, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Herën e kaluar seanca kishte dështuar të mbahej pasi që gjykata kishte harruar t’u dërgonte urdhëresat për sjellje Qendrave të paraburgimit dhe Njësitit të Transportit për të akuzuarit  Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi dhe Lubisha Bujevic.

Prokurori italian që hetoi Azem Sylën: Publikimi i emrave të dëshmitarëve – shkelje e rëndë

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com në vazhdimësi e ka monitoruar këtë proces gjyqësor.

Publikut nuk i lejohet ta dëgjojë dëshminë ndaj Azem Sylës në gjykatë

Rasti i Azem Sylës, ish-prokurori vendor: Emrat që u përmendën sot janë të dëshmitarëve të mbrojtur

Prokurori italian që hetoi Azem Sylën: Publikimi i emrave të dëshmitarëve – shkelje e rëndë