Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Granit Elshanit - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Granit Elshanit, dëshmojnë dy zyrtarë policorë

Në seancën e gjykimit të Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje e tri vrasje në tentativë, dhanë dëshmi dy zyrtarë policorë.

Fillimisht para trupit gjykues të përbërë nga Mentor Bajraktari, Nikollë Komani e Shaqir Zika, ka dëshmuar Agron Berisha, i cili në kohën e incidentit (më 2010) kishte punuar në forenzikën regjionale si zyrtar policor në Pejë.

Në Gjykatën e Gjakovës ai tregoi që raportin e vendit të ngjarjes e kishte përpiluar kolegia e tij Valbona Krelani, ndërsa ai kishte bërë tri skica të hapësirës së jashtme të vendit të ngjarjes.

Mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshani, avokatja Kosovare Kelmendi, tha se në shkresat e lëndës nuk ekziston ndonjë fotografi apo provë e pranim-dorëzimit të predhës të nxjerrë nga të dëmtuarit Hasan Buqaj dhe Arta Bardhi në natën kritike kur janë operuar.

Agron Berisha tha se nuk i kujtohet nëse i kishte bërë fotografitë e vendit të ngjarjes por nuk e mohoi që i njëjti kishte bërë përshkrimin e tyre.

Më pas dëshmoi edhe Mentor Mala, i cili kishte punuar në krim-teknikë në Drejtorinë Rajonale në Pejë.

Ai tha se në vendin e ngjarjes kishte qenë prezent të nesërmen në mëngjes bashkë me kolegët e tij Valbona Krelanin dhe Agron Berishën.

Dëshmitari Mala tregoi që kishte bërë përpilimin e skicës së vendit të ngjarjes në “City Club” në Pejë.

Ai tha se të gjitha provat e vendit të ngjarjes janë të evidentuara me numra.

Gjykimi u vendos që të vazhdojë më 21, 21 dhe 23 qershor me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Granit Elshani ishte arrestuar e më pas u lirua natën e 2 janarit 2010, kur u vra Besart Shabi dhe i plagosur mbeti Valdet Kelmendi në diskotekën “City Club”, në Pejë. 

Sipas aktakuzës, Elshani kishte shtënë për motive hakmarrjeje ndaj Kelmendit.

Konflikti mes familjeve Elshani-Kelmendi që mori shumë jetë njerëzish kishte nisur qysh në vitin 2000.

23 persona kanë vdekur në konfliktin mes familjeve Elshani e Kelmendi: 10 të familjes Kelmendi, 3 të asaj Elshani dhe 10 persona të tjerë.

Granit Elshani i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila në aktakuzën e prokurorisë pretendohet se është në hasmëri me familjen Kelmendi që nga viti 2000.

Në maj të vitit 2018, Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, ishte përshkruar konflikti mes dy familjeve që kishte marrë jetën e 23 personave.

Aktakuza thotë se natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq Besart Shabi kishte qëlluar afër tij.

Aktakuza shpjegon se në këtë konflikt familjesh kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë- 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit, e në mesin e tyre edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve ishin plagosur 38 persona, prej të cilëve 15 nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Granit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Këto akuza janë konsumuar natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

Në përballjen me gjykatën, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.

Askush nga dëshmitarët nuk kishin arritur ta identifikonin Elshanin si personi që kreu vrasjet.

Ndërsa Xhevdet Kelmendi, njëri nga pjesëtarët e gjallë të familjes Kelmendi, kishte thënë që atë natë Graniti ka gjuajtur me dy armë në drejtim të vëllait të tij, Valdetit.

Raportimet nga KALLXO.com për kë proces mund t’i gjeni në këtë link.