Foto: KALLXO.com

Gjykimi i dy zyrtarëve të Suharekës, dëshmitari: Nuk kam qenë prezent gjatë ndërtimit të objektit

Ish-drejtoresha e Inspeksionit e Komunës së Suharekës, Jehona Rrafshi-Lumi dhe inspektori i ndërtimit, Hafir Maliqaj, të hënën janë përballur me deklarimin e dëshmitarit, në gjykimin ndaj tyre.

Jehona Rrafshi-Lumi nga Prokuroria po akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e objektit, ndërkaq inspektori Maliqaj pos kësaj akuzohet se nuk e ka penguar një investitor që të vazhdojë ndërtimin e një objekti, ndonëse i njëjti nuk posedonte leje ndërtimi.

Dëshmitari Xhevdet Rexhepi ka sqaruar se “Viva Fresh” ka qenë investitor për objektin e ndërtuar në fshatin Reshtan të Suharekës.

Rexhepi ka mohuar të ketë dijeni nëse kanë ardhur inspektorët gjatë fazës së ndërtimit.

“Gjatë ndërtimit të objektit unë nuk kam marr pjesë fare e as që kam qenë në vendin e ngjarjes. Po ashtu theksoj se edhe sot e kësaj dite nuk kam qenë tek ky objekt”-tha dëshmitari.

Përpara trupit gjykues ai ka deklaruar se si pronar i “Viva Fresh” nuk merret me rregullimin e dokumentacionit e as me ndërtimin e objektit.

“Me punët administrative dhe teknike merren personat e tjerë të autorizuar pasi që kompania jonë operon në shumë pika. Lidhur me çështjen përgjegjës në atë kohë ka qenë një person tjetër i cili ka nderuar jetë”-tha dëshmitari.

Në fund, gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorit për dëgjimin e Sinan Vrellajt, zyrtar i Drejtorisë së Urbanizmit në Suharekë.

Seanca e radhës u caktua për më 12 dhe 23 janar 2023.

Jehona Rrafshi- Lumi po akuzohet nga Prokuroria se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës pasi që paraprakisht kishte nxjerrë një konkluzion lidhur me disa parcela kadastrale pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova-Holding”, më pastaj në kundërshtim me frymën e konkluzionit nuk e kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje.

Ndërsa Hafir Maliqajn, Prokuroria po e akuzon se si person zyrtar – inspektor i ndërtimtarisë, nuk i ka ndërmarrë masat ligjore për pengimin e rindërtimit të objektit afarist në lagjen Shirokë të Suharekës, objekt ky i ndërtuar nga investitori B. G., që ishte pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding”.

Sipas Prokurorisë, Maliqaj ishte mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, vetëm pasi kishte përfunduar ndërtimi, me ç ‘rast të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding” i ka shkaktuar dëme materiale apo ia ka shkelur të drejtat e saja.

Pika tjetër e aktakuzës së Prokurorisë e ngarkon Maliqajn se nuk ka vepruar sipas urdhrit të lëshuar nga vetë ai edhe në një rast tjetër që e obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fshatin Reshtan të Suharekës, të pajisej me leje ndërtimi në afatin prej 15 ditësh.

Prokuroria pretendon se Maliqaj nuk e ka penguar investitorin Xh.R., të vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm, duke dalë me vonesë në vend të ngjarjes dhe duke mos vepruar sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por që të njëjtit i ka dhënë afat shtesë që të pajiset me leje ndërtimi, e kësaj here më gjatë se 30 ditë.

Veprime me anë të të cilave Prokuroria pretendon se i akuzuari Maliqaj i ka shkaktuar dëme materiale Komunës së Suharekës.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.