Foto: KALLXO.com

Gjykimi i avokatit Haxhi Çekaj, avokati Osmani i kërkon trupit gjykues mbrojtje nga dëshmitari

Në gjykimin e avokatit Haxhi Çekaj, i cili akuzohet për mashtrim, është marrë në pyetje dëshmitari i rastit, Jashar Lokaj.

Dëshmitari tha se kishte qenë avokat mbrojtës në rastin e N. B. për të cilën ishte autorizuar nga vetë e dëmtuara Mirjeta Imeraj.

Ai tha se në këtë rast ka qenë avokat për një vit mirëpo ishte paguar vetëm 200 euro nga Nazmi Selmanaj dhe jo e dëmtuara ndërsa nga ana e të akuzuarit – Haxhisë ai i kishte marrë 4.800 euro.

Ai foli edhe për ekspertizën e bërë në Shqipëri dhe tha se ai gjithmonë kishte besuar se N. B. ishte i pafajshëm.

Ndërsa pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit, Besnik Berisha, nëse e dëmtuara Mirjeta Imeraj kishte qenë në dijeni se kjo ekspertizë ka kosto, ai u deklarua se ajo nuk e ka paraqitur asnjëherë problem çështjen materiale dhe për të ka qenë me rëndësi vetëm me përfundu.

Ai u deklarua edhe për shpërblimin prej 40 mijë euro që e dëmtuara Mirjeta u kishte premtuar vazhdimisht.

Pyetjes së mbrojtësit të të dëmtuarës, Durim Osmanit, se si kishte punuar vetëm me 200 euro për 1 vit, ai u përgjigj se garanci se ai do të paguhej e ka pasur tani të akuzuarin Haxhi Çekaj.

Mbrojtësi Durim Osmani nga trupi gjykues kërkoi mbrojtje nga dëshmitari Lokaj.

“Kërkoj mbrojtje se po m’bën turr” tha ai.

Ndërsa dëshmitari Lokaj iu kthye me fjalët: “Ku e merr të drejtën me më quajt budallë ti?”.

Pyetje për dëshmitarin parashtroi edhe vetë e dëmtuara Mirjeta Imeraj.

Ajo e pyeti dëshmitarin se si ka bërë marrëveshje për pagesë pa qenë ajo në dijeni përderisa autorizimin ia kishte bërë ajo. “A je avokati i Haxhisë apo i jemi ti?”, shtoi ajo.

Ndërsa vetë dëshmitari deklaroi se nga Mirjeta Imeraj nuk kishte kërkuar asnjëherë para, vetëm Nazmijes dhe Haxhisë.

Në pyetjen e Mirjeta Imerajt se a është praktikë për një avokat të marrë para në emër të Gjykatës, për të cilën ajo akuzon Haxhi Çekajn, se e ka bërë, dëshmitari u përgjigj se ka qenë Mirjeta ajo që në prezencën e tij disa herë kishte kërkuar me i dhënë para Gjykatës e Prokurorisë ndërsa vetë i akuzuari Haxhi Çekaj u është kthyer: “A je në veti ti?”.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili, se a ka qenë prezent në takimin e Mirjetës dhe Haxhisë kur është bërë incizimi, ai e mohoi të ketë qenë prezent.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Valbona Musliu Selimaj, Naime Krasniqi Jashanica si dhe Vesel Ismajli ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Sylë Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas prokurorisë , Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet me date 10 shtator.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

https://kallxo.com/deshton-seanca-ndaj-avokatit-te-akuzuar-per-mashtrim-te-klientit/?fbclid=IwAR1eOuwPFmtEBPTNiNbSHH0KlchhE6TE6F1uhacaG3xnFpZsnfExp-rOnAg

www.kallxo.com