Muhamet Statovci (në këmbë), duke u përgjigjur në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Gjykimi i agjentit për faturat e kompanisë së sigurimeve

Në Gjykatën e Prishtinës po gjykohet një agjent i kompanisë së sigurimeve “Kosova e re”, Muhamet Statovci, me akuzat për përvetësim në detyrë.

Në seancën e sotme i njëjti u deklarua i pafajshëm për veprat që i vihen në barrë.

“Unë punoj ne kompaninë e sigurimeve qe 18 vjet, ende punoj në atë kompani, në jetën time s’kam pasë kurrë problem. Unë nuk mundem me kuptu të kujt kanë qenë ato fatura, unë ato para i kam marrë për shkak të punës që e kam bërë. Kurrë se kam ditë që më është ngritur aktakuza”, tha ai.

Sipas aktakuzës, Muhamet Statovci në cilësinë e agjentit të sigurimeve në Kompaninë e Sigurimeve “Kosova e Re”, gjatë periudhës kohore 2014 – 2015 me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm ka nënshkruar faturat fiktive dhe i ka dorëzuar në arkën e Kompanisë së Sigurimeve “Kosova e Re” dhe e ka tërhequr shumën e parave në vlerë të përgjithshme prej 18,271.96 euro duke i përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme.