Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Skandal në Gjykatën e Apelit, gjykatësi vendosi për mikun e tij

Gjykatësi i i Apelit në Prishtinë Fillim Skoro ka gjykuar gjykuar dy qështje ku i akuzuar ishte miku i tij. Një hetim i zhvilluar për rastin zbulon se gjykatësi kishte blerë edhe një makinë nga personi të cilin po e gjykonte.

Kallxo.com ka siguruar dosjen hetimore nga Paneli i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ku është konstatuar se gjykatësi është dashur ta përjashtoj veten.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com thuhet se Fillim Skoro, duke qenë në cilësinë e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, kishte vendosur në dy kolegje sipas ankesës në çështjen penale ndaj mikut të tij, Shkelzen Mustafa.

Sipas këtij vendimi rezulton se ndonëse gjykatësi Skoro e kishte ditur se me pjesëmarrjen në kolegjet penale do të vinte në pikëpyetje paanshmërinë e vendimeve ai nuk ishte përjashtuar.

Madje gjykatësi Skoro nuk kishte paraqitur as kërkesë për përjashtim, thuhet ne vendimin e KGjK-së.

E në këtë vendim precizohet fakti se gjykatësi Skoro në vitin 2019 kishte lidhur marrëveshje për shitblerjen e një veture në vlerë prej 8 mijë euro me tani të akuzuarin-mikun e tij, Shkelzen Mustafa.

Në këtë rast, veprimet e gjykatësit Skoro kishin rënë ndesh me Ligjin për Procedurën Disiplinore.

Atij i është shqiptuar masa disiplinore e  uljes së  pagës për 30% në kohëzgjatje prej 3 muajve.

Në dhjetor të vitit 2019, gjykatësi Skoro kishte  kërkuar të hynte në marrëveshje mbi pranimin e  fajësisë por Gjykata nuk kishte pranuar pasi  që nuk përputhej gjendja faktike me marrëveshjen e tillë.

Ndonëse  marrëveshja i ishte refuzuar, gjykatësi Skoro kishte pranuar fajësinë dhe  kishte kërkuar nga paneli hetimor që ndaj tij të shqiptojnë masën më të lehtë disiplinore.

Paneli hetimor si rrethanë rënduese vlerësoi përvojën e gjatë të gjykatësit Skoro, e cila do të duhej t’i shërbente për vigjilencën e tij në përjashtimin e rasteve që do të vinin në pikëpyetje paanshmërinë e tij e jo të merrte pjesë në kolegje siç është rasti me mikun e tij Shkelzen Mehmeti.

Ndërsa si rrethanë lehtësuese kishte vlerësuar pranimin e fajësisë dhe faktin që i njëjti për herë të parë kishte shkelur ligjin.

Kujtojmë se procedurën disiplinore e ka iniciuar kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, pas kërkesës së Zyrës për Vlerësimin dhe Verifikimin e Gjyqtarëve.

Gjykatësi Fillim Skoro  është njoftuar se ka të drejtë të ankohet  në Gjykatën Supreme  në afat prej 15 ditësh pasi ta ketë marrë vendimin me shkrim.

Më 12 shkurt 2020, KALLXO.com ka publikuar raportin me të dhënat për ankesat disiplinore në gjykatat e Kosovës.

Qëllimi i këtij raporti ishte vlerësimi i efikasitetit dhe transparencës në procedurën e trajtimit te rasteve disiplinore ndaj gjyqtarëve të Kosovës.

Të dhënat për ankesat disiplinore në gjykatat e Kosovës

www.kallxo.com