Shpallja e aktgjykimit në rastin e vrasjes së Naim Hajrizit - 21.01.2020

Gjykatësi Vesel Ismaili nuk e ka ende gati aktgjykimin e shkruar në rastin 'Çekiçi'

Sot një muaj ishte blinduar Gjykata e Prishtinës, nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, gardianët e Qendrës Korrektuese dhe zyrtarët Policorë për sigurimin e të pranishmeve në momentin e dhënies së dënimit prej 40 vitesh burgim për vrasjen e Naim Hajrizit.

Përplasjet dhe tensionet në mes familjes Hajrizi dhe Retkoceri nuk munguan në asnjë seancë gjyqësore të këtij rasti.

Me 21 janar, Gëzim Retkoceri u soll i prangosur nga Burgu i Sigurisë së Lartë, i akuzuar për vrasjen e Naim Hajrizit.

Bashkë me Gëzimin u soll edhe nipi i tij Osman Spahiu, i akuzuar për dhënien e ndihmës djalit të hallës së tij Gëzimit pas vrasjes së tani të ndjerit Naim Hajrizit.

Gjykata gjeti fajtor Gëzim Retkocerin për vrasjen e  rëndë të Naim Hajrizit dhe e dënoi me 30 vjet burgim efektiv.

Ndërsa të akuzuarin Osman Spahiun e gjeti fajtor për veprën penale dhënie e ndihmës pas kryerjes së veprës penale duke e dënuar me 10 vjet burgim efektiv.

Duke shqiptuar dënim në lartësi prej 40 vitesh.

Gjykata shqiptoi dënim prej 40 vitesh për herë të dytë  për vrasjen e Naim Hajrizit i vrarë në mënyrë mizore në prill të 2009.

Në gjykimin e pare gjykata kishte shqiptuar dënim prej 60 vitesh, pasi kishte gjetur Retkocerin dhe Spahiun se në bashkëkryerje kishin kryer vrasjen e rënde të Naim Hajrizit.

Por pasi Apeli e ktheu çështjen në rigjykim, Osman Spahiu pranoi të rrëfehet për gjykatën ku tregoi se për Gëzim Retkocerin kishte blerë një shishe me benzinë, kishte lëvizur veturat brenda dhe jashtë autoservisit “Cali”, kishte mbuluar me byk dyshemenë e autoservisit.

Rrëfimi i Spahiut ne gjykatë, bëri që Prokuroria ta rikualifikojë veprën penale nga vrasje e rëndë në dhënie e ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

Osman Spahiu e pranoi fajësinë për këtë vepër penale.

Gjykatësi Vesel Ismaili, i pyetur nga Kallxo.com për përpilimin me shkrim të këtij aktgjykimi tha se “kam kërkuar 20 ditë shtesë nga kryetarja e gjykatës, për shkak se isha gjyqtar kujdestar dhe lënda është mjaft komplekse, nuk kam mundur ta përpiloj aktgjykimin brenda një muaji”.

Prokuroria në aktakuzë theksonte se me 29 prill të vitit 2009, Gëzim Retkoceri së bashku me personin N. N. tani i panjohur për prokurorinë dhe gjykatën e kishin rrëmbyer Naim Hajrizin dhe e kishte mbytur duke e goditur me mjete të forta, e pastaj trupin e pajetë të lidhur në këmbë dhe duar dhe me qese najloni në kokë e kishin dërguar në një vend mes fshatit Smaliushë dhe Debratin dhe me qëllim të fshehjes së gjurmëve e kishin djegur trupin e të ndjerit.

I bashkakuzuar për vrasjen e rëndë të Naim Hajrizit ishte edhe Osman Spahiu.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Osman Spahiu me datën 30 prill 2009 me kërkesë të Gëzim Retkocerit e kishte thirrë në telefon vëllain e tani të ndjerit Naim Hajrizit duke i thënë se “Vëllain e ke në Shkup, mos e lyp në Polici”, edhe pse kishte njohuri se i akuzuari Gëzim Retkoceri e kishte privuar nga jeta Naim Hajrizin.