Kryetari i dorëhequr i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku

Gjykatësi në pushime në Londër, dështon të mbahet seanca ndaj ish-kryetarit të Drenasit

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Drenasit, Nexhat Demakut, i cili po gjykohet për punësime pa konkurs publik.

Shkak i anulimit të kësaj seanca ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Isuf Makolli, i cili gjendet në Londër për pushime.

Nuk është e arsyeshme për mua në këtë fazë të procedurës ta ndryshoj përbërjen e trupit gjykues andaj seanca e sotme është anuluar, tha gjykatësja Shpresa Hyseni për KALLXO.com.

Gjykimi do të vazhdojë më 18 dhjetor  kur gjykatësi Isuf Makolli të kthehet nga Londra.

Ish-kryetari i Komunës së Drenasit nga PDK në gjyq për punësime pa konkurs publik

Në bazë të aktakuzës, Nexhat Demaku, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Drenasit, e ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që në mars të vitit 2015 ka lëshuar ‘akt emërimi’ punëtores Mimoza Berisha për pozitën Inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit.

Kjo ka ndodhur duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit, pa konkurs publik, duke i shkaktuar dëm Komunës në vlerë prej 18,309.01 euro.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, Sadik Tahiraj në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Drenasit, në mars të vitit 2014 i ka lëshuar kontratë pune për mësimdhënës Mimoza Berishës, si edukatore, në shkollën e mesme të ulët “Ali Gashi” në Drenas.

Kjo sipas Prokurorisë ka ndodhur pa konkurs publik dhe pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit.

Kështu, Komunës së Drenasit i ka shkaktuar dëm të buxhetit në vlerë prej 756.18 euro.