Gjykatësi në pushim, dështon seanca ndaj ish-drejtorit të Urbanizimit Nijazi Kryeziu

 

Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish drejtorit të Urbanizmit Nijazi Kryeziu.

Prokuroria po e akuzon Kryeziun se ka lidhur kontratë pa tender në kohën sa punonte në komunë, e dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë 7 mijë e 200 euro.

Të pranishëm në sallë ishin përfaqësuesi i prokurorisë Mehdi Sefa, përfaqësuesi i Komunës Blerim Mazreku, i akuzuari Nijazi Kryeziu dhe mbrojtësi i tij Kadri Mjekiqi.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, njoftoi palët e pranishme në gjykim se ka marr informacion se anëtari i trupit gjykues Gjimshit Galushi gjendet në pushim.

Duke i patur parasysh këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme dështoi të mbahet kurse ajo e radhës u caktuar për datë 13 shtator 2021.

Aktakuza e datës 2 gusht 2019, të akuzuarin  Nijazi Kryeziu po e ngarkon për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nijazi Kryeziu po akuzohet për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish kryetarit Ramadan Muja.

Prokuroria e akuzon Kryeziun se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me “TV Opinion” për emitimin e spoteve reklamuese  për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate  cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 Janar deri më 31 Dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.