Gjykatësi e pyet Fadil Gecin në Hagë se cili ishte dallimi mes LPK-së dhe LDK-së

Fadil Geci e ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Fadil Geci gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se LDK kishte deri në 800 mijë anëtarë të regjistruar në vitet e para të themelimit.

Ai gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari Gënel Metro foli për dallimet mes LDK-së dhe LPK-së. Sipas tij LPK-ja ishte një organizatë ilegale, ndërsa LDK e hapur. Dhe sipas tij, LPK e kishte orientimin në të majtë, një rrugë të cilën sipas tij, “nuk ia kishte parë hajrin askush”.

“LPK-ja ishte një organizatë ilegale, që për kohën ka qenë e pranueshme, kurse LDK ishte e hapur. Në momentin kur filloi LDK, ishte e hapur në mënyrë transparente. Ne jemi për shtet, jemi për pavarësinë e Kosovës brena kushteve të atëhershme të Jugosllavisë” – tha Geci.

“LDK merret si partia e parë edhe në Jugosllavi edhe te shqiptarët. LDK, si model i themelimit është Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me presidentin Ibrahim Rugovën që ka qenë model”- shtoi tutje Geci.

Në seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues),Kristof Barte, Gënel Metro dhe Fergal Gejnor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.