Gjykatat nuk zbatojnë plotësisht Kodin Penal për të varurit nga droga, dënimet me burg dhe kusht - joefektive

Mbi 30 mijë përdorues aktivë të drogave llogaritet të jenë në vendin tonë ndërkaq shteti akoma nuk ka arritur që të ndërtojë një qendër publike për trajtimin e këtyre personave.

Përpos dështimit për ndërtimin e një qendre publike për trajtimin e të varurve nga droga, Kosova ka dështuar edhe në parandalimin e kësaj dukurie kriminale dhe të dëmshme për shoqërinë.

Arsyet kryesore të dështimit të parandalimit të saj janë se personat e varur nga substancat narkotike në Kosovë po dënohem me kusht, gjobë dhe burgim ndonëse ligjvënësi në Kodin Penal ka paraparë edhe shqiptimin e dënimeve alternative si shqiptimin e urdhrit për trajtim të detyrueshëm për ta.

Sipas të dhënave zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për 7 vite janë shqiptuar rreth 2,000 dënime të ndryshme ndaj personave të cilët janë hasur me substanca narkotike.

Shumica e këtyre dënimeve janë dënimet me burg, të tilla janë shqiptuar 1,139  dënime ndërsa 463 janë dënime me gjobë dhe 344 janë dënime me kusht.

Të pyetur nëse ka ndonjë urdhër për trajtim të detyrueshëm të shqiptuar nga gjykatat për të varurit nga droga, KGjK është përgjigjur se nuk ka të dhëna nëse është shqiptuar ndonjë urdhër i tillë.

“Ju njoftojmë se këto informata nuk i posedojmë”, thuhet në përgjigjen e shkurtë të KGJK-së.

Edhe pse KGJK nuk ka të dhëna për urdhrat për trajtim të detyrueshëm, të dhënat e tilla i posedon Shërbimi Sprovues i Kosovës si institucion i ngarkuar për mbikëqyrjen e trajtimit të personave të varur nga droga.

Të dhënat të cilat i posedon Shërbimi Sprovues janë tejet shqetësuese pasi në dhjetë vitet e fundit sipas këtij institucioni janë zbatuar vetëm 3 urdhra për trajtim të detyrueshëm të personave të varur nga droga.

“Raste të ‘Trajtimit të detyrueshëm të varur nga droga’ në Shërbimin Sprovues të Kosovës, kemi pasur vetëm 3 raste, 2 Raste në Zyrën rajonale të Prishtinës, dhe 1 Rast në Zyrën rajonale të Prizrenit”, thuhet në përgjigjen e SHSK-së.

Këto urdhra në mungesë të një institucioni adekuat sipas Shërbimit Sprovues janë zbatur në qendrat psikiatrike të spitaleve të Kosovës.

Një numër kaq i vogël e tregon më së miri faktin se Kodi Penal i Kosovës nuk po zbatohet nga organet e drejtësisë në rastet kur para gjykate po paraqiten persona të varur nga droga  pasi nuk po shqiptohen masa trajtuese pa të cilat arritja e qëllimit të dënimit është pothuajse e pamundur.

Sipas Kodit Penal të Kosovës qëllimi i çdo dënimi është që të parandalojë kryerësin të përsërisë veprën penale si dhe t’i parandalojë të tjerët që të kryejnë vepra të tilla.

Mungesa e shqiptimit të urdhrave të trajtimit të detyrueshëm për të varurit nga droga e bënë vështirë parandalimin e përsëritjes së veprave penale pasi varësia e tyre nuk shërohet me dënime me gjobë apo edhe burgim mirëpo me trajtim.

Se shteti po dështon vazhdimisht në trajtimin e këtyre rasteve e tregon më së miri edhe rasti i N.K.,  qytetar nga Peja i cili ndonëse ka marrë katër dënime nga Gjykata është hasur prapë nga Policia e Kosovës duke poseduar heroinë.

N.K. ishte dënuar në vitin 2019 me 400 euro gjobë për posedim të substancave narkotike. Tre muaj më vonë ishte dënuar prapë mirëpo kësaj radhe më dënim me kusht. Pak muaj më vonë ai u dënua edhe një herë mirëpo çuditërisht edhe pse kishte një dënim aktiv me kusht ndaj të njëjtit u shqiptua prapë dënimi me kusht.

Se këto tre dënime nuk kanë pasur efekt për të dhe se nuk e kanë arritur qëllimin e tyre e tregon edhe fakti se saktësisht një javë më parë N.K. u dënua edhe një herë, kësaj radhe me dënim me burgim efektiv.

Rasti i N.K. nga Peja e tregon më së miri dështimin e shtetit në trajtimin e këtyre rasteve pasi në asnjërin nga dënimet që mori ndaj tij nuk iu shqiptua ndonjë urdhër për trajtim të detyrueshëm.

Të shqetësuar me mungesën e urdhrave për trajtim të detyrueshëm të personave të varur nga droga janë edhe organizata joqeveritare “Labirinth”, e cila merret me trajtimin e këtyre personave.

“Labirinth” si organizata e vetme në vend e cila i trajton të varurit nga droga ka thënë për KALLXO.com se janë shqetësuese dënimet me burg dhe me gjoba ndaj këtyre personave pasi ata kanë nevoje për trajtime dhe jo ndëshkime.

“Kryesisht gjykatat shqiptojnë ne shumicën e rasteve dënime me gjobe dhe me burgim me kusht qe ne mendojmë se është qasje e gabueshme për shkak se përdoruesit e drogave kane nevoje për mbështetje dhe trajtim e jo ndëshkim dhe stigmatizim”, thuhet në përgjigjen e organizatës.

Kjo organizatë çdo vit trajton rreth 400 persona të varur nga droga ndërsa sipas tyre përdorues aktivë të drogave në Kosovë janë 30 deri në 35 mijë qytetarë.