Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

'YIHR' fiton betejën ligjore ndaj Televizionit 'Klan Kosova'

Gjykata e Apelit e ka refuzuar padinë e Televizionit ‘Klan Kosova’ të paraqitur kundër Youth Initiative For Human Rights, me të cilën kishte kërkuar kompensim në vlerë prej 285 mijë euro në emër të shpifjes dhe fyerjes.

Televizioni ‘Klan Kosova’ me përfaqësuesin ligjor Baton Haxhiu, kishin paditur organizatën “YIHR” për shpifje dhe fyerje pas thënieve të kësaj organizate në raportin “State of constriction”.

Në këtë raport sipas padisë “YIHR” citohet të ketë thënë se Televizioni i ri ‘Klan Kosova’ po e favorizonte Partinë Demokratike të Kosovës – PDK.

Të prekur nga këto deklarata me 25 qershor të vitit 2010 Televizioni “Klan Kosova” kishte ushtuar padi në Gjykatë me pretendimet për dëmtim të imazhit dhe kishte kërkuar plotë 285 mijë euro kompensim.

235 mijë euro ishin kërkuar me arsyetimin se Televizioni ishte dëmtuar në marketing, pasi sipas tyre shumë klientë kishin refuzuar të nënshkruanin kontrata marketingu pas këtyre deklaratave, ndërsa 50 mijë euro ishin kërkuar për dëmtim imazhi.

Kërkesat e ‘Klan Kosovës’ ishin refuzuar nga Gjykata e Prishtinës dhe së fundi nga ajo e Apelit.

Apeli e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës, e cila kërkesën e ‘Klan Kosovës’ e kishte konsideruar si të pabazuar.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se shkalla e parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe drejtë ka vërtetuar se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shpifje.

Kërkesa e ‘Klan Kosovës’ ishte refuzuar në prill të vitit 2018 nga Gjykata e Prishtinës.

Sipas kësaj gjykate në këtë rast nuk ka pasur kurrfarë rrënimi të reputacionit të paditësit ‘Klan Kosova’, e as të përfaqësuesit juridik të saj Baton Haxhiu.

Mungesën e rrënimit të reputacionit shkalla e parë e kishte arsyetuar me vetë deklaratën e Haxhiut, i cili kishte deklaruar gjatë procedurës se ‘Klan Kosova’ vazhdimisht ka pasur rritje dhe tendenca të vazhdueshme për rritje.

Gjykata e Prishtinës kishte konstatuar se pretendimi i paditësit për dëmin e shkaktuar ka qenë i pa argumentuar dhe se paditësi nuk kishte ofruar prova se cilat kontrata dhe me cilët klientë nuk ishin nënshkruar kontratat si pasojë e deklaratave të organizatës YIHR.

Vendimin e plotë të gjykatës së Apelit mund ta lexoni duke klikuar në këtë LINK.