Vrasja e të riut në Deçan, i akuzuari: Nuk kam dashur ta vras Agonis Tetajn

Drejt fundit është duke shkuar gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, i cili ishte vrarë në vendin e tij të punës, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan.

Për këtë vrasje po akuzohet 20-vjeçari, djali i pronarit të kompanisë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj.

Ai po akuzohet se me armë zjarri privoi nga jeta Agonis Tetajn duke e qëlluar në kokë.

Gogaj doli sot para Gjykatës për të dhënë versionin e tij për momentet tragjike të datës 23 shtator të vitit 2018.

Me lot në sy para trupit gjykues, Gogaj tregoi se të ndjerin e kishte pasur shok të mirë dhe relacionet e mira kanë qenë si në punë si jashtë punës.

Duke dëshmuar para trupit gjykues, ai tha se nuk ka pasur për qëllim që të privojë nga jeta Agonis Tetajn.

“Unë  e kam pasë shok, punëtor, gjithçka. Unë qetash edhe jetën e kisha jep me mujtë me kthy me qenë ai afër familjes së tij”, tha ai.

Ditën kritike e quajtu si një ditë të mirë, ku si të tjerët edhe ai ishte në gëzim për shkak se shumë shpejt do të fejohej.

“Po, ja kam jep do pare Agonisit me na ble najsend me hangër ose me pi, se kesh diçka i gëzuar se kam pasë me u feju, edhe thash po ju qarosi unë”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha.

Ai tha se atë ditë pas punës ka pasur për të shkuar në mal me familjarë të tij, ashtu edhe Agonisi më disa shokë me motorë.

Nga video-incizimet e lëshuara në Gjykatë, shihet që i akuzuari Gogaj pranon paraprakisht një telefonatë nga vajza e hallës së tij, ndërsa pasi mbyll telefonatën nxjerr armën nga sirtari dhe gjuan më të në drejtim të Agonis Tetajt.

Edhe për këtë Gogaj u deklarua në Gjykatë. Sipas tij në telefon e kishte marrë vajza e hallës,për ta porositur për disa gjëra që t’i sjellë në bjeshkë.

“Pasi e kam ndërpre telefonatën kam shkuar në fijok dhe e kam marrë një allti  me gaz dhe veç kam gjuajte qashtu hajt, edhe pastaj veç kur e kam pa Agonisin të shtrirë në tokë”, tha ai duke i përshkruar ato momente.

Se revolja nuk ishte me gaz por armë zjarri, Gogaj tha se e kishte kuptuar vetëm me vonë, kur kishte qenë në ndalim policor, duke shtuar se i kishte rastisur edhe me herët të përdorë armë me gaz.

I pyetur nga prokurori Agron Uka se pse kishte shkrepur armën në drejtim të Agonisit, e jo lart ose anash, Gogaj u përgjigj se “Nuk e di qysh me ka qu Zoti”.

“S’di, shihet në kamerë”, ishte përgjigjja e të akuzuarit në pyetjen “A ju kujtohet se  a keni repetit armën”, pyetje kjo  e mbrojtësit të të dëmtuarve, avokatit Berat Tmava.

Prokurori në seancë tha se nga video-incizimi shihet që i akuzuari pas telefonatës lëshon telefonin me vrull, dhe niset në drejtim të sirtarit ku ka qenë arma, ku sipas tij në aspektin psikologjik gjesti i shprehur nga i akuzuari nuk i përngjan të qeshurës, siç pretendohet.

“Kush më ka njohur mu e din që i kam pasur protezat më herët dhe më ka mbete shprehi, ka pasë 4 ose 5 muaj që i kam hequr”, ishte përgjigjja e tij drejtuar prokurorit.

“Jam i penduar deri ku nuk ka ku shkon më, me mujtë edhe jetën time e kisha jep, në varr për së gjalli kisha hi veç me kthy”, ishin fjalët e fundit të mbrojtjes së Shaban Gogajt.

Në seancën e radhës në muajin mars mbrojtjen pritet ta japë i akuzuari për armëmbajtje pa leje, Isuf Cacaj.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.