Vrasja e Naim Hajrizit, të akuzuarit marrin në pyetje njëri tjetrin në gjykatë

Në gjykimin që po zhvillohet për vrasjen e tani të ndjerit Naim Hajrizit, i akuzuari Osman Spahiu u morr në pyetje nga i akuzuari tjetër Gëzim Retkoceri dhe mbrojtësja e tij Kosovare Kelmendi.

Gjatë deklaratës së tij u përmend një person tullac të cilin ai kishte parë në ditën kur kishte ndodhur vrasja, me të ndjerin Hajrizi dhe të akuzuarin Gëzim Retkoceri. Person ky i paidentifikuar deri më tani.

Mbrojtësja e të akuzuarit Retkoceri, Kosovare Kelmendi pyeti Osman Spahiun se gjatë këtyre 10 viteve burg a keni tentuar që të identifikoni këtë person, pyetje kjo e cila u kundërshtua për arsye se ai ishte në burg dhe nuk ka pasur mundësi të bëjë hetime.

I akuzuari Osman Spahiu tha se kartën më të cilën kishte telefonuar vëllain e të ndjerit për ta gënjyer se vëllai i tij ndodhet në Shkup e kishte hedhur më urdhrin e të akuzuarit tjetër Gëzimit.

Ai rrëfeu të ketë dëgjuar hetuesin duke i thënë familjarëve të Gëzimit “e dina sa telefonata i ka Gëzimi me të ndjerin dhe e kemi gjetur edhe një fletore se sa pare borxh ja ka”.

Pikërisht borxhi që i ndjeri i kishte të akuzuarit Gëzim Retkocerit dyshohet të ketë qenë edhe motivi i kësaj vepre penale.

Vet i akuzuari Retkoceri njëherësh edhe familjar i Osmanit e pyeti për detajet e ditës në të cilën Osmani pretendon se ai i kishte thënë “mendo çka po fol se nuk të vyen liria”.

Gëzim Retkocerit dhe Osman Spahiut prokuroria i vë në barrë se më 29 prill të vitit 2009 më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani te ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Akuzë kjo për të cilën Gjykata e Prishtinës, në korrik të vitit 2015 kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun duke i dënuar me nga 30 vjet burg për vrasjen e Naim Hajrizit në prillin e vitit 2009.

Mirëpo, pas pranimit të ankesave të mbrojtësve dhe të prokurorit dhe mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës dhe ktheu në rigjykim çështjen.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë kishte shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar siç obligojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Ky rast i cili është kthyer në rigjykim, është duke u gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Vesel Ismaili, me anëtaret e trupit gjykues, gjykatësit Isuf Makolli dhe Valbona Musliu-Selimaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.