Vrasja e Mentor Zekajt, i akuzuari e pranon vrasjen, por jo shkakun se ajo ndodhi për borxhin prej 77 mijë eurove
Gjykata e Pejës ka vazhduar gjykimin për vrasjen e 6 marsit të vitit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u vra Mentor Zekaj.
Për vrasjen e Mentorit është duke u gjykuar Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.
Vrasja po pretendohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurove që Kreshnik Haliti ia kishte Mentor Zekajt.
22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Sot, Haliti para trupit gjykues e pranoi se e ka vrarë Mentor Zekajn, mirëpo nuk e pranoi se vrasja ka ndodhur shkaku i borxhit siç pretendon prokuroria.
“I pranoj veprimet, por jo kualifikimin juridik të veprës penale”, tha Haliti.
Palët në procedurë dhanë fjalën hyrëse sot, meqenëse gjykimi ka filluar rishtazi për shkak të pensionimit të njërit prej anëtarëve të trupit gjykues.
Prokurori Ardian Hajdaraj dhe mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Gzim Kollqaku, mbeten pranë deklarimeve të dhëna më parë.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha, deklaroi se vrasja që ka ndodhur me 6 mars nuk ishte rezultat i përfitimit pasuror, ashtu siç pretendon prokuroria.
“Askush dhe asnjëherë nuk do të faktojë se ajo çka ndodhi me 6 mars ishte rezultat i përfitimit të dobisë pasurore siç pretendohet në aktakuzë”, tha Berisha.
Avokati Berisha po ashtu deklaroi se do t`i propozoj gjykatës që të sjellë vendim ku i mbrojturi i tij është përgjegjës për veprimet e kryera si rezultat i tronditjes së rëndë dhe sulmit real e të paprovokuar.
Seanca e radhës u caktua më 5 dhe 10 nëntor 2020.
Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani te ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.
Gruaja e viktimës: Mentori shkoi për t’i marrë paratë që ia kishte borxh i akuzuari