Gjykata Themelore e Pejës - Foto: KALLXO.com

“Voto Gazin” - “Nuk e ndërroj askënd me Ramushin”, ky bashkëbisedim dyshohet të shkaku për tentimvrasjen në çarshi të Pejës

Bashkrim Racaj ka dalë para gjykatës së Pejës për t’u ballafaquar me aktakuzën e prokurorisë për plagosjen e Sezair Belegut.

Ky rast ka ndodhur me 11 tetor të këtij viti në qytetin e Pejës.

Dosja e prokurorisë thotë se i pandehuri më të dëmtuarin, ishin takuar atë ditë, ku i dëmtuari i ishte drejtuar atij me fjalët “A don me votu në këto zgjedhje për Gazmendin e LDK-së?”, ndërsa i pandehuri i është drejtuar me fjalët “Ti e din se unë nuk me ndërroj askënd Ramush Haradinajn”.

Pastaj, sipas aktakuzës, i pandehuri nuk është ndier mirë për shkak të fjalëve që ia kishte thënë i dëmtuari, duke marrë kështu armën dhe niset për te lokali i të dëmtuarit, dhe njëherë gjuan në ajër e më pas gjuan dy herë në drejtim të të dëmtuarit duke e plagosur në shpinë.

I pandehuri pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kalimtarët e rastit e kanë dërguar të dëmtuarin në spital.

Në seancën që është mbajtur në gjykatën e Pejës, është deklaruar eksperti i psikiatrisë, Jeton Zogaj.

“Në lidhje me pjesëmarrje në seancë, i njëjti mund të marrë pjesë në seancë, mund të konsultohet me mbrojtësin e tij, i kupton procedurat gjyqësore, mirëpo për shkak të natyrës së çrregullimit që vuan deklaratat mund të jenë me defekte”, kishte deklaruar eksperti.

Në anën tjetër Racaj e pranoi fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Por me këtë deklarim të tij nuk është pajtuar mbrojtësi i tij, avokati Asdren Mekaj pasi ka konsideruar se nuk është bërë më vetëdijen e klientit të tij.

“Bazuar në mendimin e ekspertit, deponimet e të pandehurit mund të jene të shtrembëruara andaj kërkojmë që kjo aktakuzë të kthehet në përmirësim dhe e njëjta të rregullohet sipas nenit 515 të KPRK-së”, tha Mekaj.

Prokurori Haxhi Sinanaj ka propozuar që të caktohet një seancë tjetër ku prokurorja e rastit Valbona Disha – Haxhosaj do të deklarohet për propozimin e mbrojtësit, duke pas parasysh edhe deklarimin e ekspertit.

Në këto rrethana gjykata seancën e ka shtyrë për një datë tjetër në të cilën do të ishte prezent edhe prokurorja e rastit.