Viktima e fajdes tentoi të vrasë veten, 3 të akuzuarit para gjykatës

Burri me inicialet V.SH. kishte tentuar të vrasë veten duke pirë zbardhues në gusht të vitit të kaluar.

Një letër e gjetur në xhepin e tij zbuloi se ai ishte viktimë e fajdeve.

Isa Dautaj, Binak Nikci e Arton Gjocaj dolën sot para gjykatës për tu ballafaquar me akuzën për fajde.

Tre të akuzuarit i mohuan akuzat për këtë rast penal.

“Gjallë jo” u deklarua për fajësinë i akuzuari Binak Nikçi.

Palët në procedurë u njoftuan për të drejtën e parashtrimit të kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Prokuroria e Pejës po akuzon Isa Dautajn për fajde, ku i dëmtuari V.SH. ka marrë nga ai shumën prej 7 mijë e 200 euro me kamatë mujore prej 10%.

Për këtë shumë i dëmtuari Shala deri me datë 15.08.2019 ishte detyruar të paguajë kamatat mujore në 10% të akuzuarit Dautaj.

Humbjet financiare në këtë rast ishin 66 mijë e 922 euro.

V.SH. i cili  tentoi të vetëvritej në Pejë, sipas aktakuzës, ishte obliguar ta shiste një pronë të cilën familja e kishte marrë si parcelë për familjet e dëshmorëve.

Siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë kur V.SH. kishte përcaktuar që të shkonte së bashku me bashkëshorten tek noteri dhe të nënshkruante kalimin e pronës tek një person tjetër.

Ky obligim e kishte shtyrë viktimën që të tentonte vetëvrasjen duke pirë pastrues të banjove.

Në këtë rast penal për fajde akuzohen edhe Binak Nikqi dhe Arton Gjocaj.

Dosja e prokurorisë përshkruan  se Nikçi i kishte dhënë viktimës 1 mijë e 700 euro ndërsa për të njëjtat nga viti 2015 deri më tani viktima kishte paguar mbi 7 mijë euro.

Gjocaj akuzohet se i ka dhënë viktimës shumën prej 2 mijë e 500 euro, duke i shkaktuar humbje në vlerë mbi 6 mijë euro.