Gjykimi për falsifikimin e parave ndaj të akuzuarit Durim Rexhepaj - 30.07.2019

Vendimi i Gjykatës - Burgim të akuzuarit për falsifikimin e parave

Durim Rexhepaj, i akuzuar për falsifikim të parasë dënohet me 1 vit burgim efektiv dhe obligohet të paguaj shumën prej 15,000.00 euro “NLB Bank”-ës, 8,500.00 euro “Raiffeisen Bank”-ës dhe 520.00 euro “HIB Petrol”-it në afatin prej gjashtë muajve.

I akuzuari Rexhepaj kishte pranuar fajësinë dhe kishte premtuar gjykatën se “kurrë më nuk do të bie ndesh me ligjin”.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Haxhi Millaku, në seancën e kaluar kishte deklaruar se “rrethana e lakmisë e ka shtyrë që me ose pa vetëdije me ndërmarrë veprim të tillë”.

Prokuroria akuzonte Durim Rexhepajn për veprën penale falsifikim i parasë.

Sipas dosjes së Prokurorisë i njëjti me dije, në vazhdimësi i ka vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta edhe pse e ka ditur që të njëjtat janë të falsifikuara.

Rexhepaj akuzohej se gjatë vitit 2019 kishte deponuar në bankomatin e “NLB Bank”-ës në xhirollogarinë e tij dhe të bashkëshortes së tij disa kartëmonedha nga 500.00 euro të falsifikuara të cilat më vonë i kishte tërhequr.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Rexhepaj në bankomatin e “Raiffeisen Bank” kishte deponuar 12 kartëmonedha me vlerë nga 500.00 euro të cilat më vonë i kishte tërhequr.

Si dhe në pompën e derivateve “HIB Petrol” në Gllogoc është furnizuar me derivate në vlerë prej 20 euro dhe për pagesë punëtorit i kishte dhënë kartëmonedhën e falsifikuar në vlerë prej 500.00 euro dhe i njëjti i ka kthyer shumën prej 480.00 euro. Me këto veprime Rexhepaj  sipas Aktakuzës së Prokurorisë i  ka shkaktuar dëm “NLB Bank”-ës, “Raiffeisen Bank”-ës dhe “HIB Petrol”-it.