Si i trajtuan gjykatat rastet e krimeve seksuale?

Viktimat e dhunës seksuale kanë denoncuar dhjetëra raste në institucionet e drejtësisë ndërsa të dhënat na tregojnë që këto institucione janë duke i trajtuar dosjet në secilën fazë të procedurës.

Sipas ligjit, rastet e denoncuara në polici e prokurori vazhdojnë tutje në gjykatë dhe të dhënat na tregojnë se gjykatat e Kosovës gjatë katër viteve të fundit kanë shqipuar 143 dënime me burg ndaj kryerësve të këtyre veprave.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Të dhenat e grumbulluara për 4 vite  tregojnë se rastet që hyjnë në kapitullin e krimeve kundër integritetit seksual janë dënuar me burg.

Dhunimi, shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual, ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, mundësimi ose detyrimi në prostitucion janë disa na veprat që Kodi Penal i Kosovës i ka renditur si krime ndaj integritetit seksual.

Dënimi për disa nga këto vepra mund të shkojë deri në 20 vite burgim.

Në anën tjetër raportet e analizat e vazhdueshme nga monitorimi i gjykatave tregojnë që përkundër këtij niveli të lartë të dënimeve me burgim, dënimet e shqiptuara nga gjykatat janë të ulta.

KALLXO.com përmes kësaj analizë tregon efikasitetin e secilës gjykatë në trajtim të këtyre rasteve.

 Gjykata e Prishtinës

 Gjykata e Prishtinës për 4 vite ka pranuar 554 raste për vepra kundër integritetit seksual.

Numri i dënimeve me burgim për këto krime te kjo gjykatë arrin në 81 dënime me burg.

Të dhënat tregojnë se në këtë departament  për 4 vite janë parashkruar mbi 100 lëndë. (112), çka do të thotë se personat e akuzuar për këto vepra penale nuk do të marrin një vendim meritor nga gjykata, qoftë ai fajësues apo lirues.

Ndërsa për 4 vite janë nxjerrë 11 aktgjykime liruese nga kjo gjykatë.

 Gjykata e Pejës

Të dhënat e paraqitura nga databaza e BIRN, për efikasitetin e Gjykatës së Pejës tregojnë se kjo gjykatë në dy departamentet e saj për 4 vite ka pasur në punë 27 lëndë. 

Numri i dënimeve me burgim të dhëna nga kjo Gjykatë është 3, ndërsa janë shqptuar dy dënime liruese dhe një rast i kësaj natyre është parashkruar.

Gjykata e Gjilanit

Gjykata e Gjilanit për 4 vite ka pas në punë 154 lëndë për vepra kundër integritetit seksual.

Dënime me burgim janë shqiptuar për 18 raste, e ku 17 prej tyre janë shqiptuar nga Departamenti për krime të rënda.

Ndërsa për 7 raste janë dhënë aktgjykime liruese, e 9 raste janë parashkruar.

Gjykata e Prizrenit

Gjykata e Prizrenit në anën tjetër ka pasur në punë për 4 vite 106 lëndë.

Për 13 raste është shqiptuar dënim me burgim, ku 12 prej tyre janë shqiptuar nga Departamenti i krimeve të rënda.

Ndërsa për 7 raste janë marrë aktgjykime liruese, ndërsa numri i lëndëve të parashkruara shkon në 8.

 Gjykata e Mitrovicës

Të dhënat e MCC për Gjykatën e Mitrovicës përfshirë këtu dy departamentet që trajtojnë këto rastë tregojnë se për 4 vite kjo Gjykatë ka pasur në punë 296 lëndë.

Prej këtyre rasteve gajtë kësaj periudhe kohore kjo Gjykatë ka shqiptuar dënim me burgim vetëm për 7 raste, ndërsa janë nxjerrë 9 aktgjykime liruese.

Numri i lëndëve të parashkruara në këtë gjykatë shkon në 4.

Gjykata e Gjakovës

Gjykata e Gjakovës për 4 vite punë ka pasur një numër të lëndëve që ka shkuar deri në 39.

Nga ky numër janë shqiptuar dënime me burg për 8 raste, ndërsa është nxjerrë një aktgjykim lirues.

Numri i rasteve të parashkruara në këtë Gjykatë shkon në 6.

Gjykata e Ferizajt

Të dhënat nga databaza evidentojnë se kjo Gjykatë për periudhën kohore prej 4 viteve ka pasur në punë 112 lëndë.

Janë nxjerrë 13 aktgjykime dënuese me burg për këtë periudhë ndërsa vendime liruese 6.

Numri i lëndëve që janë parashkruar – 11 lëndë.

Këto të dhëna përfshijnë dy departamentet e gjykatës, atë për krime të rënda dhe departamentin e përgjithshëm.

Çdo person që konsideron që është viktimë e krimeve seksuale mund ta raportojë veprën në Policinë e Kosovës apo edhe direkt mund t’i drejtohet Prokurorisë së Shtetit.

Në rast se ankesa e viktimës paraqitet në stacionet e policisë, zyrtarët e policisë rastin e dërgojnë për hetim te mëtutjeshëm te Prokurori i Shtetit.

Viktima nëse është e pakënaqur me vendimin e gjykatës se shkallës së parë mund të parashtrojë ankesë ndaj vendimit mbi dënimin në Gjykatën e Apelit.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.